TIRANË – Një konflikt i mundshëm mes disa grupeve të miturish është parandaluar në kohë nga Policia në zonën e Kombinatit, ndërsa disa prej tyre dyshohet se ishin të pajisur me mjete të mprehta.
Ngjarja u parandalua pas një informacioni të marrë në rrugë operative nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të cilat në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” organizuan menjëherë ndërhyrjen.
Policia lokalizoi në rrugën “Llambi Bonata” disa të mitur, të ndarë në grupe dhe që dyshohej se po përgatiteshin për t’u konfliktuar.
Ndërhyrja e menjëhershme e uniformave blu bëri që përplasja të mos ndodhte.
Në total, 28 të mitur janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa disa prej tyre dyshohet se posedonin armë të ftohta dhe mjete të mprehta.
Të rinjtë u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, ku vijuan veprimet procedurale.
Policia vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e konfliktit të mundshëm dhe rolin e secilit prej të miturve në këtë ngjarje.



