WASHINGTON/OTTAWA – Në një kthesë të papritur, Donald Trump ka pezulluar për tre ditë vendosjen e tarifave 50% ndaj një game të gjerë mallrash kanadeze, vetëm pak orë para hyrjes së tyre në fuqi.
Presidenti amerikan deklaroi se SHBA dhe Kanadaja kanë arritur një marrëveshje, e cila pritet të finalizohet përmes dokumenteve zyrtare. Tarifat do të preknin importe kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë.
“SHBA dhe Kanadaja kanë një marrëveshje!”, shkroi Trump në rrjetet sociale, duke njoftuar shtyrjen e tarifave për tre ditë.
Por kryeministri kanadez Mark Carney ka qenë më i kujdesshëm. Ai konfirmoi se është bërë “përparim i konsiderueshëm”, por theksoi se ende ka punë të rëndësishme për t’u përfunduar.
Përplasja mes dy vendeve është fokusuar në disa çështje të ndjeshme, përfshirë tarifat amerikane ndaj automjeteve dhe kufizimet e disa provincave kanadeze ndaj shitjeve të pijeve alkoolike amerikane.
Trump ka lënë gjithashtu të hapur mundësinë e ringjalljes së projektit të gazsjellësit/naftësjellësit Keystone XL, një projekt i shumëdebatuar që u anulua gjatë administratës Biden.
Tani të dyja palët kanë vetëm tre ditë për të përfunduar dokumentet dhe për ta kthyer marrëveshjen e shpallur nga Trump në një pakt konkret.
Në të kundërt, tarifa 50% mund të rikthehet në tryezë dhe përplasja tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës mund të hyjë në një fazë edhe më të ashpër.



