TIRANË – Projekti për krijimin e një shteti sovran bektashi brenda Tiranës duket se po kalon nga ideja politike në përgatitjet konkrete për funksionimin e një mikro-shteti.
Media franceze e specializuar në inteligjencë dhe çështje gjeopolitike, Intelligence Online, raporton se më pak se dy vjet pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama, drejtuesit e Urdhrit Bektashi po hedhin hapa për formalizimin e statusit dhe krijimin e strukturave të përfaqësimit jashtë Shqipërisë. Sipas raportimit, zyrtarizimi nga autoritetet shqiptare mund të ndodhë në muajt e ardhshëm.
Projekti parashikon një territor prej rreth 11 hektarësh në Tiranë, që nëse realizohet do ta bënte këtë entitet shtetin me territorin më të vogël në botë, edhe më të vogël se Vatikani. Për këtë arsye, projekti është cilësuar shpesh si një lloj “Vatikani mysliman”.
Por raportimi i ri shkon përtej konceptit të një enklave fetare.
Sipas Intelligence Online, po diskutohen edhe elementë që lidhen me funksionimin e një shteti: pasaporta, monedha dhe përfaqësues jashtë vendit. Monedha e propozuar do të quhej “bek” dhe, sipas raportimeve, mund të lidhej me çmimin e arit.
Ndërkohë, Urdhri Bektashi raportohet se po ndërton një rrjet përfaqësuesish në vende të ndryshme, ndërsa Baba Mondi ka vijuar të presë delegacione të huaja në selinë botërore të Urdhrit në Tiranë.
Njoftimi për krijimin e shtetit bektashi u bë nga Rama në shtator 2024 dhe që atëherë projekti ka hapur debat të fortë politik, kushtetues dhe ndërkombëtar. Edhe analiza juridike të publikuara së fundmi e konsiderojnë krijimin e një entiteti të tillë një çështje komplekse për të drejtën shqiptare dhe atë ndërkombëtare.
Tashmë pyetja nuk është më vetëm nëse “Vatikani mysliman” do të krijohet.
Pyetja është: a po përgatitet Tirana për të pasur brenda territorit të saj shtetin më të vogël në botë?



