Si po degradon nga viti në vit matura shtetërore dhe arsimi në Shqipëri
Matura Shtetërore ka pasur problematikat e saj që në vitet e fillimit, por ky vit, duhet parë si një vit shkatërrimtar, jo për mesataren, as për humbjen e së drejtës të studimit, as për zhgënjimin që mund të ketë krijuar, por për shformimin dhe degjenerimin e konceptit të garës dhe meritës tek maturantët. Kjo për shkak të reagimeve (më e pakta) oportune, joprofesionale, jo etike të zyrtarëve të arsimit, duke filluar nga zyrtarët e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), deri tek zyrtarja më e lartë, ministrja e Arsimit.
Pasi testi i gjuhë – letërsisë doli në rrjetet sociale gjatë kohës që po zhvillohej provimi, ministria e Arsimit doli me një deklaratë zyrtarë dhe mori përsipër të thoshte që “dalja e testit nuk ndikon në mbarëvajtjen e procesit”. Po si mund te jetë e sigurt ministria e Arsimit që siç kanë dalë pyetjet e testit me ndonjë celular të futur në çorape, po ashtu mund të kenë ardhur dhe të jenë shpërndarë edhe përgjigjet e tij. Që këtu, rrëzohet koncepti i garës së barabartë dhe vlerësimit në bazë merite, pasi disa kanë arritur të kopjojnë e disa jo.
Për të vijuar, me nisjen e protestave të maturantëve pas provimit të matematikës, të cilat nxorën në pah më shumë mediokritetin dhe analizën e turpshme që ministria e Arsimit i bëri situatës. U tentua të shuhet në zanafillë protesta e së shtunës e qindra maturantëve që zgjodhën të dalin në sheshe në Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër për të kundërshtuar nivelin e vështirësisë (sipas tyre) së tezës së provimit, që duket se ishte në përpjestim të zhdrejtë me cilësinë e mësimdhënies për shkak të pandemisë.
Zyrtarët e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) deklaruan në rrjetet sociale fillimisht se nxënësit që ankohen për vështirësinë e tezës së provimit mund të jenë “kopjacë”.
Kur ministria e Arsimit analizoi situatën dhe vlerësoi se protestat duhet të shmangeshin për shkak të efektit antiqeveritar, antisocial dhe efektit kokëçarës që krijojnë, u vendos që “maturantët e acaruar” duhet të qetësoheshin, pavarësisht se çdo t’u thuhej e do t’u premtohej.
“Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit. Ju uroj shumë suksese për provimin e radhës”, ishte reagimi i ministres në rrjetet sociale.
Po si mund të vazhdohet të ecet me konceptin e kooperativave që më i dobti do ndihmuar me rishpërndarje pikësh? Si mund të deklarojë ministrja se meqë pati protesta, do të vlerësohet edhe njëherë niveli i vështirësisë së pyetjeve, se po të mos kishte pasur protesta, niveli as që do diskutohej? A po flasim për një institucion që në nivel ekspertësh ishte i detyruar të analizonte para provimit dhe të peshonte mirë e mirë a përputhej niveli i vështirësisë me atë të mësimdhënies në kushtet e pandemisë? Fakt është që kjo nuk ka ndodhur. Strukturat jo vetëm nuk kanë vepruar, por nuk kanë arritur të ndajnë mendjen: a kanë protestuar vetëm “kopjacët” apo testi ka qenë i vështirë, por ishin teknikët ata që “kanë harruar” ta vlerësojnë në kohën e duhur.
Por ama, një gjë e kanë bërë strukturat: u kanë mësuar maturantëve se duhet bërë kompromis kur e do nevoja./rojtar.com