Fushata në PD, Basha takime në Korçë
Në takimin me mbështetës të Partisë Demokratike në Korçë, Lulzim Basha, që kandidon për një mandat të tretë në krye të partisë më të madhe opozitare në vend, i ftoi demokratët që bashkë me të të mundësonin, siç tha ai, stacionin final: “Rrëzimin e regjimit të Edi Ramës”.
“Unë kërkoj që së bashku ta vazhdojmë këtë betejë deri në arritjen e stacionit final, që është rrëzimi i këtij regjimi, sepse për mua ka vetëm një kundërshtar, një dhe vetëm një objektiv, i cili duhet rrëzuar një orë e më parë dhe ky është Edi Rama, i cili qartësisht nuk do që ne ta vazhdojmë këtë betejë. Së bashku do ta çojmë atë deri në fund, por ky është një vendim, të cilin nuk e merr dot ai, ky është një vendim që u takon juve. Nuk është një vendim i parëndësishëm. Hapi i parë pas betejës së 25 prillit, drejt betejës që na pret është 13 qershori. Për t’i treguar atij se demokratët janë në këmbë,“ tha Basha.
Në fjalimin e tij, Basha jep edhe përgjigje për qëndrimet e rivalëve të tij në garën për PD, duke theksuar se PD ringrihet e bashkuar.
“Në qoftë se jemi të gatshëm të ndreqim gabimet dhe gjërat brenda nesh që i kemi në dorë t’i ndreqim, nëse nga kjo garë dalim të bashkuar që është dhe duhet të mbetet qëllim në vetvete i çdo demokrati të vërtetë. Atëherë, ju garantoj që i kemi akoma në dorë të gjitha mjetet, që i ngritën peshë shqiptarët për ndryshim, i kemi në dorë akoma të gjitha mjetet për ta rrëzuar një orë e më parë këtë regjim.”
Partia Demokratike zhvillon zgjedhjet më 13 qershor dhe në garë për postin e kryetarit janë 4 kandidatë: Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Edit’h Harxhi dhe Agron Shehaj.