Berisha: “Po e bëj për dinjitet, beteja ime, kundër diplomatit më të fuqishëm në botë” – (Konferenca për shtyp)

Sali Berisha do të padisë në Gjykaten e Parisit, Sekretarin amerikan te Shtetit Antony Blinken pas publikimit të vendimit në twitter-in e tij për shpalljen “non grata” të ish – Kryeministrit.

Në një konference për shtyp, ndërsa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve , Berisha sqaroi se ishte për cështje dinjiteti, ngritja e padisë për shpifje publike, nëpërmjet një avokati francez që ai ka kontraktuar.

“Dinjiteti njerëzor e tejkalon marrëdhënien me ShBA-në, është thelbi i një njeriu të lirë, më është cënuar dinjiteti, ndaj do ta qartësoj deri në fund cështjen. Nuk i druhem asgjëje përballë dinjitetit, as marrëdhënies me ShBA-të, as mundësisë së përjashtimit nga Grupi Parlamentar i PD-së. Kur isha në diktaturë vendosa të luftoj për dinjitetin tim, ndërsa të rinjtë vriteshin në kufi. Që atëherë, nuk ka asgjë të rëndësishme mbi tokë për mua”, tha Berisha që saktësoi se Partia Demokratike nuk ka asnjë lidhje me këtë betejë, se ajo është personale e Sali Berishës dhe avokatëve të tij.

Berisha kundërshtoi mundësinë që padia e tij ndaj Blinken personalizohet, ndërkohë që është DASH që ka marrë vendimin: “Kam paditur direkt Blinken, sepse ai më ka cënuar dhe ka bërë publik vendimin tim. Ai është diplomati më i fuqishëm në botë, por unë kam besim tek drejtësia”, u shpreh Berisha që sqaroi se sipas avokatit të tij, për këtë cështje, Blinken nuk gëzon imunitet për shkak të postit të tij si Sekretar Shteti.

“Ai është i mbrojtur kur ushtron akte normale, por ndërsa po bëhet autori i një komedie dhe montazhi politik, kjo nuk hyn në funksionet e një ministri. Asnjë qeveri nuk mund të ketë funksion shpifjen dhe perbaltjen”.

I pyetur mbi marrëdhënien që duhet të mbajë PD me ambasadën amerikane, Berisha u shpreh:  “PD duhet të mbajë qëndrimin më të mirë të mundshëm, por vetëkuptohet, harmonizimi i platformave dhe objektivave është një cështje që do kohë të evoluojë”, tha Berisha që nuk preferoi të komentojë deklaratën e Bashës lidhur me cështjen e tij. “Ai do ta mbante një deklaratë në emër të partisë demokratike”.

Sa i përket heshtjes së Ilir Metës tha se është normale dhe si President i vendit, nuk ka pse të prononcohet.

Në deklaratën e tij para mediave, ish – Kryeministri dhe ish – Presidenti i vendit, vlerësoi një bashkëqeverisje të mundshme Rama – Basha si fatalitet, ndërkohë që nuk hodhi poshte si shkak të këtij vendimi, kundërshtimin e projektit për ndryshimin e kufijve të Kosovës, ndërkohë që projektuesit e tij ishin lobistë të fuqishëm.

“Ka shumë hamendësime lidhur me këtë vendim dhe shumë variante. Nuk e di kush mund ta ketë iniciuar. Zgjodha t’i drejtohem gjykatës. Do të jetë ajo që do të nxjerrë të vërtetën mbi mua, bashkëshorten dhe fëmijët e mia”, u shpreh Berisha.

Ai nuk la pa përgjigje edhe cështjen e imunitetit të Fatmir Mediut për Gërdecin dhe të Ilir Metës për përgjimin e Dritan Priftit: “Sali Berisha nuk mund të akuzohet si pengues i hetimeve, unë jam autor i heqjes së imuniteteve, i kam heq imuntetin Fatmir Mediut, ndërsa Ilir Meta dha vetë dorëheqjen dhe u gjykua nga gjykata për rastin e përgjimit.

I pyetur nëse do të jepte dorëheqjen nga deputet dhe nga Grupi Parlamentar i PD-së, Sali Berisha tha se nuk kishte ndërmend ta bënte një gjë të tillë. “Dorëheqje?! Unë mendova ta dyfishoj”, përfundoi ai bashkëbisedimin me gazetarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *