Ministrja hedh poshtë thashethemet për dëshminë në Hagë

Donika Gërvalla që mban postin e ministres së Jashtme në Kosovë mohoi thashethemet se, ajo është thirrur si dëshmitare në Gjykatën Speciale të Hagës, ku po gjykohen ish Komandantët e UÇK-së, mes tyre edhe Hashim Thaçi.

Në një deklaratë të prerë, në konferencën me homologun e saj kroat, ministrja kosovare u tha gazetarëve se, nuk ka dëshmuar kurrë në Hagë dhe as nuk kishte ndërmend të futej në këtë rol.

Ajo ka tërhequr vëmendjen e medies, për të mos shfrytëzuar vizitën e ministrit të jashtëm kroat, për të folur për këtë çështje.

Diplomati kroat, Gordan Grlic Radman, komentoi edhe dokumentin “non-paper” për kufijtë në Ballkan, duke u shprehur kategorikisht kundër nismave të tilla, që synojnë sipas tij destabilizimin e rajonit. Kroacia tha ai do të ndihmojë në njohjen e Kosovës dhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Por e paqartë ishte deklarata e tij për ngritjen e një kampi ushtarak në Kosovë në funksion të rritjes së sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Mësohet gjithashtu se Kroacia ka siguruar 10 mijë doza vaksina për Kosovën, në shenjë solidariteti për të parandaluar infektimet dhe për të ulur numrin e personave që kanë nevojë për mjekim të specializuar.

Një ditë më parë, edhe Komisioneri Europian për Zgjerimin udhëtoi drejt Prishtinës për të dorëzuar personalisht dozat e vaksinave që Kosova përfiton nga BE si ndihmë për të përballuar pandeminë Covid-19.

Prishtina refuzoi pak kohë më parë vaksinimin e mësuesve me vaksinat e siguruara nga Shqipëria, me pretendimin se nuk ishin çertefikuar nga BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *