Zbulohet “Qyteti i Artë” egjiptian 3.000-vjeҫar

Arkeologët kanë zbuluar një qytet 3000 vjecar të zhdukur në Egjipt, i ashtuquajtur “qyteti i artë i zhdukur” — më i madhi i gjetur ndonjëherë dhe zbulimi më i rëndësishëm që prej gjetjes së varrit të Tutankhamun.

Qyteti u zbulua poshtë rërës, në pjesën perëndimore të Luxor-it, rreth 300 kilometra nga Kairo. Gërmimet u kryen nga një skuadër arkeologësh të drejtuar nga Zahi Hawass.

Gërmimet në këtë zonë nisën në shtator 2020, me qëllim gjetjen e tempullit të mbretit Tut.

Në fillim të gërmimeve u shfaq zbulimi befasues – një formacion me tulla balte në gjendje të mirë, që rezultoi se datonte në kohën e artë të faraonëve, 3,000 vjet më parë.

Pas pak javësh, për skuadrën tonë erdhi surpriza e madhe, formacione tullash balte nisën të shfaqeshin në të gjitha drejtimet,” tha Hawass në deklaratën e tij. “Ishte një qytet i madh në gjendje të mirë, me mure thuajse të plota dhe dhoma që kishin objekte të jetës së përditshme.”

Pjesa më e madhe e jugut të qytetit është zbuluar, por ende vazhdon të mbetet nën rërë pjesa veriore e tij.

Qyteti ishte ndërtuar nga Mbreti Amenhotep III, mbreti i nëntë i dinastisë së 18-të që mbretëroi nga viti 1391 deri në vitin 1353 para Krishtit, sipas Hawass.

Shumë misione të huaja kërkuan për këtë qytet, por nuk e gjetën asnjëherë,” tha Hawass në deklaratë.

Gjetja e Qytetit të Humbur jo vetëm do të na japë një panoramë të jetës së egjiptianëve të lashtë kur perandoria e tyre ishte në kulmin e shkëlqimit, por do të na ndihmojë të hedhim dritë në një nga misteret më të mëdha të historisë — përse Akhenaten dhe Nefertiti vendosën të lëvizin në Amarna,” shpjegojnë arkeologët.

Brenda qytetit, u zbulua një skelet me krahët e vendosura në pozicion të veçantë dhe një litar tek gjunjët.

Zbuluesit vlerësuan se vendi dhe pozicioni i skeletit ishte jashtëzakonisht i çuditshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *