Pezullimi i fluturimeve, Rama akuza në “ajër” për Metën dhe Berishën
Pezullimi i fluturimeve në Rinas ashpërsoi gjuhën e deklaratave të Kryeministrit për Presidentin Meta dhe ish Kryeministrin Berisha.
Edi Rama në një status, të shpërndarë nga zyra e tij e shtypit, paralajmëroi se do të kallëzojë në Prokurori për cënim të sigurisë kombëtare, punonjësit e Kullës së Vrojtimit të Trafikut Ajror, duke akuzuar kundërshtarët politikë, mes tyre edhe Presidentin e Republikës se kanë frymëzuar grevën .
Në statusin e tij, Kryeministri akuzoi edhe për grevë të qëllimshme për të mos lejuar mbërritjen e vaksinave në Shqipëri. Deklaratë kjo e përforcuar edhe nga vartësja e tij, në ministrinë e infrastrukturës, e cila akuzoi kundërshtarët politikë për grusht shteti.
Qëndrimi i Kryeministrit, erdhi pas statusit të Presidentit të Republikës, drejtuar kontrollorëve të “Albcontrol” për të rifilluar punën dhe thirrjes për autoritetet që të zgjidhin kërkesat e Sindikatës së Kontrollit të Transportit Ajror.
Presidenti Meta, në një status të dytë pas akuzave të Kryeministrit, publikoi letrën e 5 ditëve më parë, drejtuar Kryeministrisë, Ministrisë së Infrastrukturës, Aviacionit Civil, Delegacionit të BE-së, Ambasadës së SHBA-ve dhe Sindikatës së Transportit Ajror, ku informonte se ishte vënë në dijeni nga sindikalistët se “Albcontrol” prej afro një viti kishte ulur pagat e kontrollorëve të trafikut ajror, në shkelje të kontratave kolektive.
Presidenti në statusin e tij, në rrjetet sociale, theksoi se nuk duhet të lejohet asnjë rrezik për cënimin e sigurisë dhe mirëqarkullimit të hapsirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, kur për pak ditë do të nisë përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët “Defender Europe 21”, nga ku pritet që trafiku ajror në vendin tonë, të rritet ndjeshëm, si në fluturimet ushtarake, edhe në ato civile.
Aeroporti i Rinasit pezulloi fluturimet deri ditën e nesërme, në ora 10:00, pas grevës së kontrollorëve për pushimin e padrejtë nga puna të 5 kolegëve, të cilët kishin kundërshtuar ndryshimin e njëanshëm të kontratave të punës nga Këshilli Mbikqyrës i “Albcontrol”.