KiE: Përkeqësohen kushtet e punës për gazetarët në Shqipëri

Këshilli i Evropës publikoi raportin vjetor të Platformës për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve. Raporti i përgatitur në bashkëpunim me organizatat partnere të mediave në të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës, ngre shqetësimin për rritjen e numrit të rasteve të arrestimeve, sulmeve fizike, kërcënimeve dhe shantazhimit të gazetarëve. Platforma e Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve fokuson edhe Shqipërinë si vendin me numrin e shtuar të raportimeve për sulme me 11 raste, një sinjal sipas tyre i përkeqësimit të kushteve të punës së gazetarëve.

Ndër rastet e përmendura është edhe fushata denigruese ndaj gazetares së portalit Exit.al, Alice Taylor dhe sulmet ndaj reporterëve dhe operatorëve gjatë protestave dhe raportimeve siç ndodhi me korrrespondentin e News 24 TV, Enver Doçi, i cili u dhunua nga forcat policore, në përpjekje për të ndalur filmimin e një arrestimi të dyshimtë në Peshkopi.

Në raport shprehet shqetësimi për “Paketën Anti-shpifje”, nismë e Kryeministrit Rama, e votuar në Parlament dhe e rrëzuar me dekret presidencial, si tentativë për të kontrolluar lirinë e shtypit dhe mediave online.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *