Media në krizë, gazetarët të rrezikuar nga virusi dhe humbja e vendeve të punës

Portali informativ i BIRN Albania, Reporter.al,  iu bashkua shqetësimit të gazetarëve dhe organizatave të tyre për krizën në industrinë e medias pas akteve qeveritare për zbatimin e një plani masash për të ndalur përhapjen  e virusit COVID-19.

Kryeredaktorja Aleksandra Bogdani intervistoi kolegë, drejtues të mediave dhe organizatave mediatike në Shqipëri, të cilët konfirmuan mbylljen e dhjetra programeve televizive dhe ndërprerjen e botimit të gazetave. Kompanitë mediatike humbën reklamat për shkak të mbylljes së bizneseve.

Kryeredaktori i të përditshmes “Panorama” dhe njëkohësisht Drejtues i Departamentit të Informacionit në televizionin News 24, Robert Rakipllari i tha BIRN se u detyruan si asnjëherë më parë të ndërpresin botimin e gazetës për shkak të ndalimit të qarkullimit nga qeveria.

Një vendim që u mor në radhë të parë për shëndetin e lexuesve, po ashtu edhe të shitësve, shumica e të cilëve nuk u lejuan nga Bashkitë të vazhdojnë aktivitetin e tyre. Puna për informimin e publikut vazhdon me vështirësi në faqen online të gazetës “Panorama” dhe në televizionin infrmativ News 24, megjithëse gazetarët dhe operatorët në terren rrezikojnë jetën e tyre dhe të afërmëve, duke qënë në vijë të parë të frontit bashkë me mjekët dhe policët”,- tha Rakipllari.

Top Channel gjithashtu konfirmoi se shumica e stafit të tij po punon nga shtëpia dhe se ka mbyllur disa programe televizive.

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë po lobon që media të përfshihet në paketën lehtësuese të qeverisë për financime si dhe për të siguruar edhe maska mbrojtëse për gazetarët dhe stafin mbështetës. Kryetari i Unionit të Gazetarëve Aleksandër Çipa rikonfirmoi se do të dërgojë kërkesën në Kuvend përmes Komisionit të Medias pasi sipas tij nga kriza ekonomike rrezikojnë afro 6120 punonjës të medias.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *