Pavlopoulos s’e konsideron kërkesën e Presidentit Erdogan

Presidenti grek Pavlopoulos, tha sot se refuzon sugjerimet për shkëmbimin e dy ushtarëve grekë të burgosur në Turqi, në këmbim të ushtarëve turq, të cilët Ankaraja i kërkon në lidhje me puçin e dështuar më 2016-ën.

Komentet e presidentit grek vijnë pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të shtunën se qeveria e tij mund ta shqyrtojë mundësinë që ushtarët grekë të shkëmbehen me ata turq.

“Shkëmbimi i dy ushtarëve grekë që janë të burgosur, me tetë ushtarët turq që janë në Greqi, nuk vihet në diskutim”, – tha Pavlopoulos.

Tetë ushtarët turq kishin kaluar në shtetin helen, pas grushtit të dështuar shtetit, më 2016-ën, në Turqi.

Gjykata Supreme greke vendosi që ushtarët turq të mos ekstradohen, pavarësisht kërkesave të Ankarasë se ata duhet të përballen me drejtësinë në Turqi, sipas REL.

Të tetë ushtarët turq, mohojnë çdo përfshirje në puçin e dështuar.

“Ata (Greqia) kanë kërkuar që ne t’ua kthejmë ushtarët grekë, ndërsa ne u kemi thënë se nëse bëni kërkesa të tilla, fillimisht duhet të na i dorëzoni ushtarët e FETO-s, të përfshirë në grushtin e shtetit”, – ka thënë Erdogan të shtunën, në një intervistë për televizionin NTV.

Ankaraja i referohet me akronimin FETO, Lëvizjes Hizmet të klerikut turk, Fethullah Gulen, të cilin Turqia e akuzon se qëndron prapa tentativës për grusht shteti.

Lëvizja e Gulenit në Turqi është shpallur organizatë terroriste. Gulen, i cili tashmë jeton në Shtetet e Bashkuara, mohon çdo përfshirje në këtë ngjarje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *