Çaktivizmi bërthamor në gadishullin korean, Trump: Ende punë dhe shpresë
Presidenti Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë premtuar asnjë lëshim para takimit të planifikuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, teksa Pheniani sapo ka njoftuar reduktimin e programit bërthamor.
Presidenti amerikan e publikoi në Twitter, komentin: “Nuk kemi hequr dorë nga asnjë prej kërkesave tona, ndërkohë që ata kanë rënë dakord për çaktivizimin bërthamor (një mrekulli për botën), për mbylljen e objekteve dhe ndalimin e provave!”
Por, presidenti pohon se është ende i paqartë rezultati i takimit të tij me udhëheqësin koreano-verior, takim që mendohet se do të zhvillohet në fund të majit apo në fillim të qershorit.
Pheniani ende nuk ka rënë dakord për eliminimin e arsenalit bërthamor, pa dhënë asnjë deklaratë për çaktivizimin bërthamor të gadishullit korean.
“Ka ende shumë punë deri në arritjen e zgjidhjes për Korenë e Veriut, ndoshta gjithçka do të shkojë mirë, ndoshta jo. Do ta shohim. Por puna që po bëj tani, duhet të ishte bërë me kohë,” – tha presidenti.