KIEV – Një nga sfidat më të forta politike ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që prej nisjes së pushtimit rus në shkallë të gjerë ka ardhur nga ish-ministri i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili ka bërë thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve edhe gjatë luftës.
“Demokracia nuk mund të mbahet peng nga Rusia”, deklaroi Fedorov në një video të publikuar në YouTube, duke argumentuar se Ukraina po lufton pikërisht për të mbetur një shtet i lirë dhe evropian.
Ukraina ndodhet nën ligj ushtarak që prej vitit 2022, çka ka sjellë pezullimin e zgjedhjeve. Për këtë arsye, thirrja e Fedorov konsiderohet si një zhvillim i rëndësishëm politik në vend.
Fedorov, 35 vjeç, nuk e përmendi drejtpërdrejt Zelenskyn në deklaratën e tij. Megjithatë, kërkesa vjen vetëm pak javë pasi ai u shkarkua papritur nga posti i ministrit të Mbrojtjes, vetëm gjashtë muaj pas emërimit. Shkarkimi i tij shkaktoi protesta në disa qytete të Ukrainës.
Zelensky nuk ka reaguar ende publikisht ndaj deklaratës.
Ndërkohë, një burim pranë zyrës presidenciale e ka cilësuar kërkesën për zgjedhje në kushtet aktuale si “jashtëzakonisht të çuditshme”, duke argumentuar se është jorealiste të organizohen zgjedhje ndërsa vendi vijon të përballet me sulme me raketa dhe dronë.
Në një tjetër zhvillim që rrit presionin mbi autoritetet ukrainase, dy agjenci kundër korrupsionit kanë njoftuar nisjen e një operacioni të posaçëm ndaj deputetëve aktualë dhe ish-deputetëve, si dhe ndaj një zyrtari të paidentifikuar të zyrës presidenciale.
Thirrja për zgjedhje, e kombinuar me hetimet kundër zyrtarëve të lartë, mund të hapë një kapitull të ri në betejën politike në Kiev, ndërsa Ukraina vazhdon luftën kundër Rusisë.



