Boris Johnson martohet në një ceremoni “tepër sekrete”

Boris Johnson martohet në një ceremoni sekrete

Mail On Sunday zbuloi lajmin e bujshëm se, Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson është martuar në një ceremoni sekrete në Katedralen “Westminster”.

Ceremonia dasmore u mbajt para miqve të ngushtë dhe familjes, këtë të shtunë dhe fotografët kanë mundur të fotografojnë babain e kryeministrit bashkë me të motrën.

Downing Street nuk ka pranuar të komentojë. Ndërsa gazetarët mësohet ta kenë marrë vesh lajmin nga Ministrja irlandeze, Arlene Foster, e cila ka uruar çiftin kryeministror në twitter.

Urimet më të mira Boris Johnson & Carrie Symonds për dasmën tuaj sot“.

Kryeministrin e kanë uruar edhe kundërshtarët politikë.

Keir Starmer, lideri i laburistëve shkruajti: “Urime Boris & Carrie. Pavarësisht nga dallimet tona politike, unë i uroj atyre një jetë të lumtur së bashku “.

Sir Lindsay Hoyle, Kryetari i Dhomës së Komunëve, gjithashtu uroi çiftin duke shpresuar, që ata të kenë kohë për muaj mjalti.

Por ish-drejtuesi i laburistëve Jon Trickett tha se dasma ishte ‘një mënyrë e mirë për të varrosur lajmet e këqija të kësaj jave’ në dëshminë e z. Cummings, përhapjen e variantit indian të koronavirusit dhe grindjet për financimin e banesës së Downing Street”.

Deri në ceremoninë e sotme, dyshja kishin qenë çifti i parë, i pamartuar që banonin në Downing Street.

Ata jetojnë në banesën No.11 të selisë qeveritare, me djalin e tyre dhe një qenush, të racës “Jack Russell”, të quajtur Dilyn.

“Mail on Sunday” raportoi se, 30 mysafirë ishin të ftuar në dasmën kryeministrore, aq sa lejohej në protokollet e masave anti-Covid, në Angli.

Një numër i vogël i zyrtarëve të kishës ishin të përfshirë në përgatitjet për ceremoninë katolike, e cila u drejtua nga At Daniel Humphries.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *