Maska e detyrueshme vetëm në ambient të mbyllur
Shqipëria lehtëson masat kufizuese për shkak të pandemisë.
Komiteti i Ekspertëve njoftoi protokollin e ri të masave për parandalimin e infektimeve me Covid-19.
Në lexim të këtij protokolli, maska do të jetë e detyrueshme nga data 1 qershor, vetëm në ambientet e mbyllura të institucioneve publike dhe private.
Kufizimi i qarkullimit zhvendoset nga ora: 23:00-06:00 dhe kjo masë do të jetë në fuqi deri më 1 korrik, kohë kur ora policore do të jetë në intervalin: 24:00-06:00, që në dukje kuptohet si një tjetër masë në mbështetje të turizmit.
Gjithashtu do të lejohen takimet dhe aktivitetet me 50 persona.
Kinematë, teatrot dhe konferencat shkencore duhet të kenë 30% të audiencës sipas protokollit të përcaktuar nga Insituti i Shëndetit Publik.
Duket se, dasmat e stilit shqiptar, me qindra të ftuar, s’kanë shans të ndodhin edhe për shumë kohë, siç po ndodh edhe me diskot dhe lokalet e natës, që do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura për të shmangur riinfektimin e mundshëm të popullatës.