Negociatat në ngërç, BE-ja nuk e ndan Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut; Zaev: Nuk heqim dorë nga identiteti ynë

Sipas Politico.eu, një dokument i shërbimeve të BE-së që ka qarkulluar para takimit të sotëm të ministrave të jashtëm, përcakton se nga njëra anë, vendet e Ballkanit Perëndimor po zhgënjehen nga procesi i zgjerimit të BE; nga ana tjetër, shumica e vendeve anëtare nuk pranojnë që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut, pasi kjo e fundit ka bërë më shumë përparime sa i përket reformave krahasuar me Shqipërinë, por duhet të zgjidhë çështjen e vetos që i ka vendosur Bullgaria.

Në një takim me presidenten Ursula von der Leyen, kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha se Maqedonia e Veriut nuk do të heqë dorë nga “identiteti maqedonas” në këmbim të çeljes së negociatave të anëtarësimit. “Identiteti ynë, përveç se është çështje krenarie, është gjithashtu çështje e fakteve, shkencës, traditës dhe simbolit kombëtar të popullit tonë. Nuk është dhe nuk do të jetë objekt i negociatave”, tha Zaev, siç raporton Western Balkans.

Këto elementë bëjnë që negociatat të hyjnë në ngërç dhe shpjegojnë faktin që në takimin e sotëm nuk është propozuar ndonjë datë konkrete për hapjen e tyre.

Megjithatë, pas takimit të sotem të ministrave të jashtëm të BE-së, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, nëpërmjet nje postimi në Twitter, theksoi nevojën për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Ai shkruan se diskutimet frytdhënëse mbi Ballkanin Perëndimor, konfirmuan  perspektivën e padiskutueshme të rajonit në BE, si dhe zotimin për një ngazhim të shtuar të tyre.

“Nevojitet hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ai, duke shtuar se është domosdoshmëri gjithashtu, vijimi i dialogut Beograd – Prishtinë.

Këshilli i Punëve të Jashtme (FAC) është një strukturë e Këshillit të Bashkimit Evropian, që mblidhet një herë në muaj dhe në të marrin pjesë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare. Në varësi të rendit të ditës, në këto mbledhje marrin pjesë edhe ministrat përgjegjës përkatës, për çështjet evropiane, kulturën, mjedisin ose tregtinë.

Këshilli u mblodh sot, më 10 maj, për të diskutuar situatën në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për integrimin, por edhe për një sërë letrash jo-formale që flasin për rishikim kufijsh, të cilat kanë qarkulluar së fundmi në mediat në rajon.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *