Berisha po ia bën të pamundur heshtjen Bashës

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zgjedhur të mos bëjë koment ndaj ndërmarrjes së fundit të mazhorancës së drejtuar nga kryeministri Edi Rama për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Në fakt, që pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit, daljet e Bashës në publik kanë qenë të rralla dhe vetëm të lidhura me akuzën për shitblerje të votës. Basha e ka konsideruar Ramën dhe qeverinë e tij, jo thjesht si kundërshtarë politikë, por si regjim politik që ka instrumentalizuar fenomenin e vjedhjes së votës.

Madje, ditët e fundit kanë qenë zyrtarë të tjerë të PD-së që kanë dalë para mediave për të dëshmuar, sipas tyre, vjedhjen nga aleanca kriminale Rama – Doshi – Rakipi; sot ishte Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi që foli specifikisht për zonën e Vaut të Dejës. Kjo është një strategji e mirëmenduar nga kreu i Partisë Demokratike, sepse nëse Basha do të dalë të flasë, do të flasë për shumë gjëra: për kërkesat – hera – herës ultimatumet – për dorëheqje që i vijnë nga ish- funksionarë të Partisë Demokratike, për ftesat e kryeministrit Rama për bashkëpunim, zyrtarizimin ose jo të ankimit në Strasburg për zgjedhjet, edhe cështjen e Presidentit të Republikës.

Basha duket se ka zgjedhur të heshtë, të paktën për momentin, ose derisa të ketë dicka për të thënë, por sot heshtjen e tij e ka tronditur Sali Berisha që ka mbajtur qëndrim të prerë lidhur me cështjen e shkarkimit të presidentit. Me një gjuhë të ashpër, ai ka dënuar, sipas tij, aktin pucist destabilizues të Ramës për shkarkimin e Presidentit, në shkelje flagrante të parimeve themelore të Kushtetutës. Pas shprehjes së këtij qëndrimi të liderit historik të PD-së, Lulzim Basha nuk mund të jetë më aq i qetë në heshtjen e tij. Edhe pse gjatë fushatës elektorale, por edhe para saj, kreu i PD-së ka zgjedhur linjë politike të butë dhe jo radikale si e Berishës; gjithashtu ka evituar të njësohet me Metën, Kryemadhin, LSI, duke u servirur si lider i moderuar; tani, kur pozitat e tij janë të dobëta, pasi ka humbur zgjedhjet, mbetet për t’u parë nëse do të ketë luksin të abstenojë sa i përket shprehjes së qëndrimit të tij në emër të Partisë Demokratike. Aq më tepër, që Berisha e dha sot sinjalin e tij në mbështetje të Presidentit.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha ka përballë ftesën abstrakte të kryeministrit për bashkëpunim, që tani për tani, mbetet vetëm në konturet e retorikës politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *