Pse vjen Komisioneri për Zgjerimin Varhelyi nesër në Tiranë?
Në kuadër të një turi vizitash zyrtare në vendet e Ballkanit, Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, do të vijë nesër në Tiranë për të zhvilluar takime me kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të zhvillojë edhe një konferencë për shtyp, si dhe kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Në një situatë të polarizuar pas zgjedhjeve të 25 prillit, kur qëndrimi i Partisë Demokratike po ravijëzohet qartazi, duke qenë ai i mosnjohjes së zgjedhjeve, takimi i përfshirë në agjendën e Komisionerit për Zgjerim me Lulzim Bashën, do të jetë për këtë qëllim. Deklarata e sotme e Bashës se 25 prilli ishte një masakër elektorale mund të pasojë me mosnjohjen zyrtarisht të zgjedhjeve dhe bojkotin e parlamentit nga deputetët fitues në shtator, do të krijonte një situatë politike tejet të ngarkuar në vend, aq më tepër që mazhoranca ka nisur edhe procesin e shkarkimit të Presidentit të Republikës. Në qershor pritet të zhvillohet edhe konferenca e parë ndërqeveritare që do të shënojë hapjen zyrtare të negociatave dhe kjo krizë e pritshme politike krijon probleme në këtë kuadër, në një kohë kur nuk mund të flitet për “dialog politik”, një nga kriteret kushtëzuese të Kopenhagenit për negociatat e anëtarësimit në BE.
Vizita e Varhelyi, zyrtarisht ka si fokus kryesor ndihmën e BE për Shqipërinë për të përballuar pandeminë, si dhe dorëzimin e pjesës së parë të 145 mijë vaksinave të Pfizer, të financuara nga Bashkimi Evropian.
Varhelyi, do të vizitojë po ashtu Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ku do të bisedojë me zyrtarët vendas për pandeminë e koronavirusit dhe mbështetjen e BE-së në këtë kontekst.
Bashkimi Evropian është angazhuar intensivisht që të mundësojë dërgimin e vaksinave kundër Covid 19 në Ballkanin Perëndimor. Më të fundit, ishin rreth 651 mijë doza të vaksinave Pfizer/BionTech, të destinuara për vendet e rajonit.
Varhelyi po viziton Ballkanin edhe pas publikimit të dy ‘non paper-ave’ me ide për ndryshim kufijsh dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor që kanë ngjallur reagime javët e fundit, edhe pse nuk dihet nëse kjo cështje do të jetë pjesë e diskutimeve me liderët e rajonit.