Tom Doshi përgatit terrenin për një pjesëmarrje të mundshme në qeverinë socialiste
Dorëheqja e Tom Doshit nga kandidat për deputet në mes të natës së kaluar, ndërkohë që PSD që ai drejton, deri tani po shkon drejt mandatit të dytë të sigurt në zgjedhjet e 25 prillit, ka shkaktuar habi dhe ka zënë titujt kryesorë të mediave mëngjesin e së hënës.
Në një letër publike që i ka drejtuar mbështëtesve dhe aktivistëve të partisë së tij, ai ka sqaruar se nuk po dorëhiqet nga partia, por vetëm nga mandati si deputet dhe se arsyeja kryesore që e ka dhënë dorëheqjen, është që “të jetë plotësisht i lirë për t’iu përkushtuar me të gjitha mjetet ligjore, mbrojtjes së emnit të tij prej lakimit të pavend dhe tendencioz që i asht ba kohët e fundit, duke cliruar kështu energjitë e PSD vetëm drejt misionit politik dhe përfaqësimit të interesave të qytetarëve”.
Me këtë deklaratë, Doshi i referohet akuzave nominative të vazhdueshme të ambasadores amerikane që kërkonte mospërfshirjen e tij në listat e deputetëve si një person “non grata” nga ShBA. Në përmbushje të kësaj kërkese, Doshi ka dhënë me urgjencë dorëheqjen që deputetët fitues të partisë së tij të jenë plani rezervë i Ramës për krijimin e qeverisë së tij, nëse nuk fiton 71 deputetë.
Në një dalje tjetër për media, Tom Doshi e ka qartësuar më tej qëndrimin e tij politik, duke thënë se asnjëherë nuk do të bënte koalicion me Partinë Demokratike, por se ishte i gatshëm të bënte koalicion me PS-në. Me këtë deklaratë, Doshi ka bërë gati terrenin për të nxjerrë Ramën nga kriza e mundshme e krijimit të qeverisë, nëse sipas projeksioneve të deritanishme ai nuk arrin të marrë 71 mandate. A është kjo zgjidhje formale e moralshme, nëse merr parasysh faktin që Rama ka thënë se do të largohet po nuk mori 71 mandate dhe vecanërisht nëse ai është i gatshëm të bëjë marrëveshje të tilla politike me Doshin, i cili është etiketuar publikisht si person “non grata”? Kjo mbetet për t’u parë sesa do të faktorizohet Doshi deri në numërimin e votave të fundit, pasi ai vetë ka deklaruar se pret që PSD-ja e tij të marrë 4 mandate në zgjedhjet e 25 prillit. Mbetet për t’u parë gjithashtu nëse Ramës do t’i lindë nevoja të bëjë koalicion me partinë e Doshit për të qeverisur vendin edhe 4 vite të tjera.