Lulzim Basha: Nuk kishim përballë një kundërshtar, por një regjim politik

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një dalje publike sot pasdite, përkundrejt zërave që kërkojnë dorëheqjen e tij, tha se nuk do të dorëzohet dhe se lufta e tij për demokraci do të vazhdojë pa u ndërprerë

Nëpërmjet një fjalimi që e nisi dhe e përfundoi me figura letrare, kryesisht metafora, Lulzim Basha nuk mbajti një qëndrim të qartë nëse do të pranojë humbjen apo do të refuzojë të njohë zgjedhjet e 25 prillit.

“Teksa muzgu i kësaj mbrëmje po bie mbi qytetet dhe fshatrat tona, mbi malet dhe luginat e Shqipërisë, një tjetër hije po avitet në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve anembanë këtij vendi dhe kudo ku ndodhen”, tha Basha që pranoi se besimi i tij tek fuqia e popullit për ndryshim dhe për të kthyer demokracinë, këtë herë nuk mjaftoi.

“Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale. Ata ndryshuan kushtetutën dhe kodin zgjdhor duke thyer të gjithë rregullat. Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve”. Basha tha se partia në pushtet hodhi miliona euro për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve.

“Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median, duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale”, u shpreh ai.

Kreu i Partisë Demokratike, në mënyrë indirekte, iu përgjigj zërave që aludojnë për dorëheqjen e tij duke sqaruar se “kushdo që mendon se ne do të dorëzohemi – nuk na njeh mire”! “Ne do të vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë. Ne do vazhdojmë të luftojmë me gjithçka kemi për demokracinë. Do vazhdojmë të luftojmë deri në fitore, sepse misioni ynë është më i madh se të gjithë ne. Po u dorëzuam ne, Shqipëria ska më asnjë mundësi”, tha Lulzim Basha, në fjalën e tij duke nxjerrë në plan të parë, industrinë e vjedhjes së votave të instaluar nga partia në pushtet që sipas tij është arsyeja kryesore e humbjes së partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *