Akuzat: Kryeministri rregulloi apartamentin me lekët e fushatës
Kryeministri britanik, Boris Johnson, po përballet me një stuhi akuzash për afera korrupsioni.
Pak ditë pasi u zbulua se, një ish financues dhe këshilltar i fushatës së tij, përfitoi një tender për paisjen e spitaleve me maska, një tjetër bashkëpunëtor i afërt e akuzon për abuzime.
Ish këshilltari i Kryeministrit, Dominic Cummings akuzon shefin e tij se, dikur kishte planifikuar që riparimet e apartamentit t’ia bënin donatorët e fushatës elektorale.
Këto akuza u hodhën poshtë nga Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, i cili deklaroi prerë se Boris Johnson e ka paguar vetë faturën e të gjitha punimeve në rezidencën qeveritare në “Downing Street”, në Londër.
Laburistët, nga ana tjetër kanë bërë thirrje për të nisur hetimet për të provuar abuzimet e Kryeministrit.
Komisioni Zgjedhor, nga ana e tij ka deklaruar se po kërkon informacion nga “Partia Konservatore”, nëse shpenzimet për punimet në apartament i kanë paguar nga donacionet e fushatës.
Ashtu si disa nga paraardhësit e tij, Kryeministri Boris Johnson po jeton në banesën nr. 11, e cila është më e madhe se apartamenti në “Downing Street 10”.

I pyetur, nga emisioni “BBC Breakfast” nëse, një hua kishte mbuluar fillimisht kostot e rinovimit të apartamentit të kryeministrit, zyrtari i qeverisë pohoi prerë se Kryeministri i kishte paguar paratë nga xhepi i tij.
Akuzat se apartamenti i kryeministrit Johnson u rinovua me paratë publike u bënë pas lajmeve se në buxhetin publik parashikohej një fond prej 30 mijë paundë për akomodimin e kryeministrave britanikë.
Në një deklaratë, me shkrim të premten, qeveria tha se asnjë qindarkë nga ky grant, nuk u shpenzua në vitin financiar 2019/20.
Shifrat e shpenzimeve qeveritare për këtë vit pritet të publikohen në verë.