Vetting/ Shtyhet sërish seanca në KPA për prokurorin Artan Madani
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shtyrë sot sërish seancën gjyqësore publike të çështjes që i përket drejtuesit të prokurorisë së Kavajës Artan Madani.
Në seancën e sotme, trupi gjykues vendosi të marrë në cilësinë e provës disa akte të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, që refuzoi t’i merrte seancën e kaluar, pasi nuk ishin në formën e kërkuar nga ligji.
Komisioneri Publik kërkoi kohë për t’u shprehur lidhur me aktet, sepse, sipas tij dokumentet prekin disa shkaqe ankimi e rrjedhimisht duhet të shqyrtohen specifikisht në lidhje me secilin prej tyre.
Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 22.04.2021, ora 10:30. Gjatë kësaj séance, Komisioneri Publik do të shprehet lidhur me provat e administruara në seancat mëparshme, atë të datës 18 mars 2021 dhe 13 prill 2021.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i Komisionerit Publik pas analizimit të provave të reja dhe nëse ai do të vijojë t’i qëndrojë shkaqeve fillestare të ankimit.