KE: Shqipërisë 90 mln €, komentuesit: Sillni vaksina!
Nëpërmjet një deklarate zyrtare, të shpërndarë nga kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Luiggi Soreca, Komisioneri Evropian ka zyrtarizuar sot akordimin e shumës prej 90 milion € për Shqipërinë , në kuadër të programit të ndihmës Makro-Financiare , lidhur me COVID-19.
Shqipëria është vendi i tetë, që merr një disbursim nga paketa emergjente, “3 miliard euro” e KE-së, e destinuar për 10 partnerë të zgjerimit dhe fqinjësisë, i cili synon t’i ndihmojë ata në kufizimin e pasojave ekonomike të pandemisë .
Ky disbursim do të kontribuojë në zbutjen e pasojave të rënda sociale-ekonomike të pandemisë së koronavirusit edhe në Shqipëri.
“Ky virus nuk njeh kufij: BE qëndron në krah të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj në këto kohë të vështira. Transaksioni i sotëm pason miratimin e një ‘Memorandumi Mirëkuptimi’ me Shqipërinë, i cili përcakton kushtet e politikës që duhet të përmbushen për disbursimin e këstit të dytë prej 90 milion euro. Këto kushte të politikave lidhen veçanërisht me përmirësimin e qeverisjes ose rritjen e mbrojtjes sociale. Ky program është një demonstrim i fortë dhe konkret i solidaritetit të BE-së me Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë në një kohë krize të paprecedentë”, thuhet në postimin e ambasadorit Soreca, në Twitter.
Por, ky postim nuk mbeti pa u komentuar. Disa nga ndjekësit e tij në Twitter, i shkruajtën ambasadorit: “ Duhen vaksina…, fondet pa vaksinat, ngjajnë pak si propagandë !”
