Përmirësohet situata Covid në vend, por vijon ardhja e mijëra vaksinave

Në Shqipëri, java e fundit shënoi një përmirësim të ndjeshëm të situatës së pandemisë Covid 19, në vazhdën e një tendence të nisur që prej fundit të muajit janar. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se në periudhën 22-28 shkurt, si numri i rasteve të reja ashu dhe ai i viktimave thuajse u përgjysmuan. Në rënie edhe të shtruarit në spitale dhe pacientët në gjendje të rëndë.
Por edhe pse situata po shkon drejt një përmirësimi të dukshëm, pritet që gjatë këtij viti të mbërrijnë në vend 1 milionë doza Pfizer, 300 mijë vetëm gjatë muajit mars. Duket se këto doza janë të panevojshme për shkak se interesi për vaksinim ka rënë dukshëm, kjo edhe për shkak të ardhjes së pranverës dhe të përmirësimit të situatës Covid.
Gjatë javës që shkoi në total u rregjistruan 1105 të prekur nga koronavirusi, shifra më e ulët që nga fillimi i gushtit të vitit të shkuar. Mesatarja ditore zbriti në 158 raste, gati 44 përqind më pak se javën e shkuar. E hëna, 28 shkurt, shënoi dhe ditën me numrin më të ulët, vetëm 36 të infektuar, edhe këta në gati një të pestën e bashkive të të gjithë vendit: 16 në Tiranë, 3 në Mirditë, Gjirokastër, 2 në Durrës, Lushnje, Vlorë, Delvinë, 1 në Pukë, Kukës, Fier, Mallakastër, Pogradec, Gramsh. E hëna shënon dhe një nivel shumë të ulët të pozitivitetit, 2.8 përqind. Pozitiviteti (raporti mes rasteve të reja dhe testimeve) është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet. Gjatë javës së fundit, ai zbriti në një mesatare prej 8.4 përqind, ose 4 pikë përqindjeje më poshtë se niveli i një jave më parë.
Në 7 ditët e fundit edhe numri i viktimave u tkurr me 42 përqind. Në total pati 18 humbje jete, nga të cilat 5 u raportuan të hënën: një qytetar nga Saranda 63 vjeç, një qytetar nga Berati 67 vjeç, një qytetar nga Durrësi 68 vjeç, dy qytetarë nga Tirana 72-78 vjeç.
Në spitale, të shtruarit gjithashtu janë pakësuar. Në 24 orët e fundit sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë kishte 51 pacientë nga të cilat 7 në gjendje të rëndë. Një javë më parë kishte 71 të shtruar nga të cilët 14 ishin po merrnin trajtim në terapi intensive.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi të hënën në Komisionin parlamentar të Çështjeve sociale se “në dy javët e fundit kemi një ulje të incidencës të rasteve pozitive ashtu sikurse edhe situata në spitale vlerësohet të jetë e kontrolluar. Kemi ulje dhe të rasteve të hospitalizimeve dhe gjithashtu edhe të fataliteteve në dy javët e fundit, krahasuar edhe me pikun e rasteve me variant Omicron në javën e tretë të muajit janar”.
Sipas ministres, vaksinimi anti Covid, ka bërë që spitalet të mos rëndohen me një numër të shtuar të pacientëve. Ajo njoftoi se aktualisht, 59.3 përqind e popullatës mbi 16 vjeç ka marrë të paktën një dozë, ndërsa 55 përqind me të dy doza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *