Qeveria britanike nën hetim për dy vepra arti

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson është vënë nën hetim pas zbulimit se, afro 100 mijë paund u shpenzuan për blerjen e një pikture abstrakte dhe një seti fotografik për dekorimin e mureve të apartamentit të tij në selinë qeveritare “10 Downing Street” në Londër.

Blerjet sipas “Daily Mirror” janë mbuluar nga fondi qeveritar i Koleksionit të Arteve, nga i cili mbi 70 mijë paund u shpenzuan për një pikturë të artistes Belfast Cathy Wilkes, ndërsa 18.775 mijë paund për një sërë veprash të fotografit, Willie Doherty.

Opozita kritikoi qeverinë britanike për luks të shfrenuar, ndërsa vendi sipas tyre për shkak të pandemisë përballet me vendime të vështira për shkurtime të shpenzimeve për sektorët jetikë dhe me rritje taksash.

Deputeti i Laburistëve Neil Coyle shkroi në Twitter se: Ndërsa qeveria e tij shkurton Kredinë Universale dhe ngrin pagat e infermierëve dhe policëve, Johnson ka gjetur më shumë para për të trajtuar mirë veten e tij.

Kundërshtarët politikë e quajnë Boris Johnson një egoist i pandreqshëm, duke i kujtuar se ndërsa ai bën jetë luksi në kohë krize, shumë biznese kanë falimentuar dhe se personeli infermieror dhe ai policor është më i pakët në numër për shkak të shkurtimeve në fondin e pagave.

Një zëdhënës i qeverisë britanike hodhi poshtë akuzat duke mbrojtur idenë se, fondi qeveritar i Koleksionit të Arteve ndihmon në promovimin e artit dhe kulturës britanike në të gjithë globin.

Koleksioni qeveritar i Arteve merr vepra të reja pas konsultimit dhe miratimit nga një panel ekspertësh të pavarur, dhe shumica e fondeve për blerjet vijnë nga burime filantropike – jo nga paratë e taksapaguesve. Dy veprat u blenë për të shënuar njëqindvjetorin e themelimit të Irlandës Veriore.”

Kryeministri britanik, Boris Johnson është vënë prej kohësh nën vëzhgim për korrupsion me fondet qeveritare. Disa muaj më parë ai u akuzua publikisht nga një ish-këshilltar i tij se, kishte mobiluar apartamentin me fondet e fushatës elektorale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *