Fiskalizimi, “gjoba” Rama ndaj bizneseve te vogla

Nga sot nis faza e dytë e procesit të fiskalizimit që do të thotë lëshimi i faturave elektronike sipas një sistemi të ri. Për të lëshuar këto fatura elektronike, biznesi duhet të blejë një kasë të re të teknologjisë moderne, të përshtatë atë ekzistuesen ose të përdorë zgjidhjet softëare, duke investuar edhe në blerjen e një kompjuteri, instalimin e linjës së internetit dhe printerit, krahas marrjes së certifikatës elektronike nga AKSHI.

Sipas deputetes së zgjedhur të Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ky proces që nisi si një tender korruptiv që u vodhi taksave të shqiptarëve 16 mln euro, po vazhdon si një proces që do t’i marrë bizneseve e më tej edhe shqiptarëve, të ardhrua të tjera.

“Tashmë kushdo që do të shesë qoftë edhe një shishe uji do të duhet të kërkojë lejen e qeverisë përmes një programi që do t’i kushtojë deri në 2000 euro në vit çdo biznesi. Bizneset e vogla, kioskat në rrugë apo lokalet e vogla që sot mezi po gjallohen nga pandemia dhe ndihma e munguar ekonomike do përballen me shpenzime shtesë”, thotë Tabaku.

Sipas saj, në asnjë vend të Ballkanit Perëndimor apo dhe Evropës, ku u zgjidh qesja e ndihmave të shtetit, “normaliteti” nuk ka nisur përmes taksave apo kostove të tilla.
“Shqipëria është vendi i vetëm ku biznesi që mezi po merr veten nga kriza ekonomike të taksohet.
Kjo është hipokrizia e Ramës, njeriu që hiqej si miku bizneseve por që është armiku numër një i tyre”, thotë deputetja.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), që menaxhon aplikimin për certifikatë përmes platformës e-Albania, bëri të ditur për “Monitor” se shumë biznese nuk janë ende gati për të zbatuar sistemin e ri të faturimit. Deri në datën 30 qershor, janë pajisur me certifikatë elektronike për sistemin e fiskalizimit 20,525 biznese, ose 60% e totalit të subjekteve që pritet të përfshihen në fiskalizim nga 1 korriku. Certifikata elektronike është hapi i parë për zbatimin e fiskalizimit, pasi mundëson nënshkrimin elektronik në sistemin e ri të faturimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *