Pse po glorifikohen modelet e gazetarëve censorë e në shërbim të pushtetit
Liria e shtypit në Shqipëri, që lidhet direkt me të drejtën e gazetarëve për të ushtruar profesionin është përkeqësuar shumë në dekadat e fundit dhe këtë e lexon edhe ndër rreshtat e raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Por, ndërsa në këto raporte flitet për presionet, që ushtrojnë mbi gazetarët pushtetet, pronarët, grupet e krimit të organizuar, asnjë rresht nuk gjen për presionin e një kaste drejtorësh dhe kryeredaktorësh, që e kanë ngritur karrierën e tyre në media dhe janë pasuruar duke shfrytëzuar kolegët.
Kjo kastë drejtuesish në media është paguar me miliona, jo për të bërë gazetari, (që për fat duhet të kesh guximin e Zotit), por për të shfrytëzuar kolegët, duke i keqpaguar në rastin më të mirë, pasi nuk gjen gazetar, që nuk ka 2-3 paga mujore të pamarra në mediet ku kanë punuar.
Kjo sjellje e kësaj kaste drejtorësh në media është kriminale dhe nuk mund të marrë medalione as nga ambasadorja amerikane, që nuk ka bërë një status të vetëm për gazetarët, që sot janë emigrantë, sepse i ndjek krimi i organizuar për t’i eleminuar.
Asnjë diplomat nuk mund të abuzojë me detyrën dhe të thur lavde për censorët e medias, qofshin këta edhe miqtë e tij.
Miqtë mbajeni për vete dhe drekoni natën e ditën, publikisht dhe në skuta, por nuk mund të talleni me mijëra gazetarë, që sot kanë mbetur rrugëve, sepse s’kanë asnjë garanci për profesionin e tyre, që ju të gjithë e keni kapur nga fyti.
Eshtë e patolerueshme, që një seli diplomatike me fuqinë botërore që ka, asnjë herë të vetme nuk ka reaguar për rrahjet dhe kërcënimet e gazetarëve nga njerëz me pushtet.
Është e pafalshme, që censorët edhe në radhët e medies strehohen në seli diplomatike, ndërsa gazetarët persekutohen, shpallen “non grata” në institucione qeveritare e nuk kanë asnjë garanci për jetën.
Një pyetje kemi; Pse një gazetar nuk mund të tradhëtojë besimin e publikut e të behët mik i pushtetit, i biznesmenit dhe i diplomatit?
Deri sa të na ktheni përgjigje me metodat tuaja, mos harroni, se një ditë medaljet e turpit do t’i shohim, varur edhe në gjokset me imunitetin e diplomatit/ Rojtar.com