“Never say never” apo “never ever”?

Kryeministri Sali Berisha bëri dje një deklaratë të fortë që tërhoqi vëmendjen e medias dhe publikut, ndërsa la të hapur mundësinë e rikthimit në krye të Partisë Demokratike.

Kur u pyet a e mendon rikthimin në krye të PD-së, ai u përgjigj “never say never: Kurrë mos thuaj kurrë”.

Në fakt, edhe pse përgjigjja bëri bujë pasi këtë radhë ishte e drejtëpërdrejtë, lideri historik i PD-së i dha sinjalet e para “për përfshirje më të madhe të tij”, që në konferencën për shtyp në Rogner, kur deklaroi se kishte ngritur një padi në një gjykatë franceze kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinke, që e shpalli publikisht si person “non grata” për ShBA.

I pyetur nga gazetarët nëse pas shpalljes “non grata” do të jepte dorëheqjen si deputet i zgjedhur i Partisë Demokratike, ai tha se “tani do të përfshihem më shumë”.

Por sa është i mundur rikthimi real i Berishës në krye të PD-së? E sigurt është se Berisha nuk e rihodhi tezën e rikthimit për shkak të humbjes së zgjedhjeve për herë të tretë të PD-së apo realitetit të ndryshuar politik në vend; për herë të parë ai e bëri me dije këtë gjë në momentin, që u sulmua personalisht dhe familjarisht nga ShBA-të. Në këtë mënyrë, teza e rikthimit mund të lexohet si mburojë politike dhe jo si arsye e ringritjes së PD-së apo per ideal.

Nga ana praktike, si do të mund të kthehet Berisha në PD, kur ai nuk është kandidat në zgjedhjet e së dielës për kryetar. A do të presë ai zgjedhjet e ardhshme, apo do t’i kërkojë kryetarit të zgjedhur që t’i lirojë karrigen e kryetarit?! Duke qenë se mungojnë premisat reale për rikthim, koha e Berishës në krye të PD-së ka përfunduar kur ai dha dorëheqjen natyrshëm nga një epokë, së cilës i dha fund me vullnetin e tij. Ndaj, do të ishte më mirë që dje, ai të përgjigjej “never ever”, “kurrë më”./Rojtar.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *