Kryeministri Rama “i pason topin BE-së” për çeljen e negociatave

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, në përfundim të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama ia ka lënë të gjithë përgjegjësinë Bashkimit Evropian lidhur me vendimin e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai ka qartësuar se, tanimë Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë dhe se, as Komisioni Evropian dhe as vendet anëtare nuk kanë pasur kundërshti lidhur me këtë, dhe se është BE-ja, ajo që duhet të zgjidhë problemet e brendshme të saj dhe të caktojë datën për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

Për sa kohë ne, KE, jo këtë vit, por prej tre vitesh, na ka thënë se detyrat i kemi bërë si duhet dhe i ka kërkuar Këshillit Evropian që të pranojë rezultatin e detyrave dhe të hapë më tutje fazën tjetër të procesit, ne jemi të qetë. Këshilli Evropian ka pasur arsyet e veta, që nuk kanë lidhje fare me ne, dhe kjo gjë ka marrë kohën e vet. Sot, fatmirësisht, nuk ka kontestim për detyrat tona, as nga Komisioni dhe as nga shtetet anëtare”, -ka thënë Rama në konferencën për shtyp, duke nënkuptuar se, Shqipëria ka përfunduar çdo detyrë dhe duke deklaruar se gjatë kohës, që do jemi në pritje të zgjidhjes së ngërçit mes Bullgarisë e Maqedonisë së Veriut, mund ta shfrytëzojmë “për të mësuar Evropën dhe rrugën e futjes në këtë familje të madhe”.

Ka një ngërç mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe mënyra si funksionon sistemi i zgjerimit, kërkon që ky ngërç të zgjidhet para se të vazhdojë procesi. Në këtë moment ne nuk kemi asnjë lloj shqetësimi apo arsyeje për të thënë që ne po sakrifikohemi, sepse ne këtu jemi me BE dhe po vazhdojmë punën për të përmirësuar jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm nga pikëpamja e gjithë arkitekturës së re legjislative, por edhe nga pikëpamja e infrastrukturës dhe gjithë elementëve të tjerë të ekonomisë’, tha më tej Rama para gazetarëve dhe para Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili sërish nuk dha një datë të sigurt për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare me Shqipërinë.

Kryeministri nuk përmendi asnjë kusht konkret, që BE-ja ka vendosur për Shqipërinë si detyrim për t’i përmbushur edhe pas hapjes së negociatave si ; reforma në administratën publike, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, të drejtat themelore etj.

Këto janë punë më konkrete, sesa puna “për të mësuar Evropën”!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *