Gërdeci, GjKKO, brenda korrikut duhet të caktojë seancën gjyqësore për Fatmir Mediun

Në Shqipëri ka nisur “stina e gjuetisë” nga institucionet e drejtësisë së re që po rihapin cështje të konsideruara si tabu në shoqërinë shqiptare

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë në dorë dosjen e ish-ministrit Fatmir Mediu, i cili do të gjykohet për tragjedinë e Gërdecit. Kjo çështje ishte për gjykim në Gjykatën e Lartë, por kjo gjykatë ka shpallur moskompetencë dhe është GJKKO që duhet të japë një vendim nëse duhet të mbetet i pushuar procesi ndaj Mediut, nëse do të rihapet duke u shoqëruar me prova të reja apo nëse do të arkivohet.

Tashmë GJKKO ka afat deri në muajin korrik për të caktuar datën e sencës së parë gjyqësore.

Gjyqtarët që morën vendimin për kalimin e çështjes GJKKO ishin Ilir Panda, relator i çështjes në Gjykatën e Lartë, Albana Boksi dhe Klodian Kurushi.

Kërkesa në Gjykatën e Lartë për rihapjen e çështjes kundër ish-ministrit të Mbrojtjes u bë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Sipas SPAK, pas depozitimit të kërkesës së familjes Durdaj, të cilët humbën djalin 7-vjeçar, me objekt ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë, është arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore që të rihapet procesi gjyqësor për Mediun.

Duket se në Shqipëri ka nisur “stina e gjuetisë” nga institucionet e drejtësisë së re, nga Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykata e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që po hapin cështje të cilësuara tabu në shoqërinë shqiptare, sic është kjo e Gërdecit dhe ajo e 21 Janarit. Ndërkohë, Gjykata e Posacme ka dhënë dënimet e para ndaj atyre që ambasada amerikane i ka cilësuar më herët si “peshqit e mëdhenj”. Para pak ditësh, SPAK njoftoi sekuestrimin e pasurive të ish gjyqtarëve të Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë, të shkarkuar nga Vettingu: Bashkim Dedja, Fatos Lulo dhe Shkëlzen Selimi.

Gjithashtu, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi në shkallë të parë me 2 vite burg ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla si dhe vendosi sekuestrimin e pasurive të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *