Alarmi për bombë, avioni bën ulje emergjente në Berlin

Një tjetër avion i “Ryanair” bëri ulje të detyruar mbrëmë, pas një alarmi për bombë.

Aeroplani, që ishte nisur nga Dublini me destinacion Krakovin në Poloni dha komandën emergjente për t’u ulur në aeroportin e Berlinit.

Zëdhënësja e Policisë së Berlinit konfirmoi se, në bordin e avionit nuk u konstatua ndonjë rrezik nga ekipet policore dhe xheniere, që kryen kontrollet e sigurisë.

Referuar burimeve të Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP) udhëtarët u akomoduan në një avion tjetër për mbërritjen në Krakov.

Pasagjerët përjetuan të njëjtën frikë, si udhëtarët e avionit të së njëjtës kompani fluturimi, që u rrëmbye pak ditë më parë në hapsirën ajrore bjolloruse, me të njëjtin pretekst, “alarm për bombë”.

Bomba e pretenduar, një javë më parë ishte një kurth i shërbimeve sekrete, për të arrestuar gazetarin, Raman Pratasevich, që kishte kërkuar azil në Athinë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet bjelloruse për koordinimin e protestave opozitare në Bjellorusi.

Gazetari po udhëtonte nga Athina për në Vilnius me linjën ajrore “Ryanair”, për të intervistuar lideren e opozitës bjolloruese, e cila edhe ajo kishte kērkuar azil në Lituani pas dëbimit nga vendi.

Mendohet se, shërbimet sekrete bjelloruse e ndoqën gazetarin nga Athina dhe njoftuan autoritetet për të organizuar operacionin e arrestimit të tij, në kohën kur avioni do të fluturonte mbi hapsirën ajrore bjelloruse.

Ngjarja e bujshme u konsiderua e ngjashme me aktet terroriste dhe shkaktoi reagime të shumta.

BE dhe ShBA ashpërsuan sanksionet e vëna ndaj Bjellorusisë, pas shtypjes me dhunë të demostratave opozitare, në gusht 2020,  të pagëzuara si “Marshimi i Lirisë” kundër regjimit të Presidentit Aleksandër Llukashenko.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *