Takimi Basha – Roth, Basha: Masakër zgjedhore; Roth: Do t’i besojmë ODHIR-it

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar sot me ministrin gjerman të Shtetit për Europën Michael Roth dhe pas takimit janë pronocuar për mediat. Në vijim edhe të deklaratave të mëparshme paszgjedhore, Basha tha se kishte informuar ministrin gjerman për masakrën zgjedhore të 25 prillit dhe sipas tij, mundësinë e artë që humbi Shqipëria dhe shqiptarët, për të zhvilluar demokracinë dhe për të ecur përpara në procesin e integrimit.

“Ajo që i kam kërkuar ministrit Roth është të flasin dhe denoncojnë masakrën zgjedhore të 25 prillit, para se të jetë vonë për demokracinë dhe Shqipërinë, përpara se Shqipëria të vazhdojë të jetë e mbushur me kriminelë në parlament”, tha Basha.
Nga ana e tij ministri gjerman la të kuptohej se Gjermania do t’i referohej raportit të OSBE-ODHIR-it për zgjedhjet për të krijuar opinionin e saj në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Shqipëri dhe jo deklaratave të PD për masakër zgjedhore “Sa i përket zgjedhjeve, ne do t’i besojmë raportit vlerësues të OSBE-ODHIR-it”, tha Roth që shtoi se në 22 qershor, Gjermania shpreson që Këshilli i BE të vendosë pro hapjes së ngociatave dhe ta konkretizojë këtë vendim, me zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare.

Roth tha gjithashtu se hapja e negociatave nuk do të thotë se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga BE-ja, por është një tregues i perspektivës së qartë të Shqipërisë në BE. Duke iu referuar takimit me Bashën, Roth tha vendi i opozitës është në parlament dhe se roli i saj është i rëndësishëm, jo më pak se roli i qeverisë në procesin e integrimit të vendit në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *