Berisha, “Arka e Noah-s” në garën për PD
“Grupimi për PD” doli në një deklaratë të re sot, përmes së cilës i kërkohej Lulzim Bashës të rrëfehej nëse, vendimet e tij në PD ishin ndikuar nga Sali Berisha.
Ish Presidenti, Bujar Nishani, i zgjedhur në atë post në vitin 2012, me përkrahjen absolute të Berishës, sot kërkon llogari te Basha nëse, Berisha ka të njëjtën influencë në PD, siç pati atëherë tek nominimi surprizë i tij, për në krye të shtetit.
“Basha duhet të bëjë transparencën para shqiptarëve. Kjo sepse ka që më 2013-ën, që thuhet se Basha është i trysnuar nga Berisha dhe Basha nuk e ka përgënjeshtruar këtë gjë. Basha duhet të dalë dhe të thotë, a është shantazhuar nga Berisha për të marrë vendime? Këtë gjë duhet të thotë Basha.”
Edhe kandidatja Edit’h Harxhi thotë se, marrëdhenia e saj me Berishën mbetet ajo që ka qenë përherë, pa e qartësuar llojin e saj, përderisa ajo bashkë me “Grupimin PD”, i kërkon Bashës të rrëfehet si “te prifti” për lidhjen e tij me liderin historik të PD-së.
“Marrëdhënia ime personale me Berishën mbetet ajo që ka qenë përherë. Unë marr votën e demokratëve, ata besojnë tek unë dhe vlerat, e programi im, për të ngritur PD-në në idealet e 1991. Ndoshta në mbrëmje nxjerr programin e ri, unë jam e bindur se demokratët do më besojnë votën. Ky është fundi i tranzicionit shqiptar. Basha nuk bëri asnjë akt perëndimor, sepse ka katër herë që humb dhe nuk është treguar aspak europian. Ky grup do kërkojë reformimin e plotë të PD-së. Grupi do të punojë, por unë jam e sigurt që nuk do ketë nevojë, sepse Basha do jetë më 14 qershor përballë një surprizë.”
Kundërshtarët e Bashës në parti, që ende nuk kanë shpallur platformën sesi do të jetë PD-ja nën drejtimin e tyre, duket se po e përdorin emrin “Berisha” si karrem, për të marrë vota nga demokratët “bio”, besnikëria e të cilëve mund t’ju japë një “shah mat” të sigurt në lojën e tyre për pushtet, që jep sinjale të jetë “më privat” se, ai i vetë Bashës, pasi secili prej tyre është provuar në konsumin krejtësisht personal të pushtetit, që kanë pasur në nivel qëndror dhe lokal./ Rojtar.com
——————————————————————————————–
Kërkesat drejtuar Kryesisë së PD-së dhe Komisionit Zgjedhor
1-Përjashtimi nga gara e Ibsen Elezit është antistatutor, anti-demokratik, dhe deformon procesin zgjedhor të PD. Elezi është një nga zërat opozitarë më të paepur në Shqipëri, si dhe ka kontribute reale, të vazhdueshme dhe publikisht të njohura në PD.
Ai prej vitesh kërkon reformimin e thellë të PD-së dhe është një nga anëtarët më aktivë të saj. Grupi për PD kërkon ndryshimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rikthimin e Elezit në garën për kryetar.
2-Kryesia e PD dhe Komisioni Zgjedhor janë të detyruar të vënë në dispozicion të kandidatëve për kryetarë të PD, jo më vonë se data 25 maj 2021, listën e plotë të anëtarësisë së PDSH.
3-Të rishikohet përbërja e Komisionit Zgjedhor dhe atyre në nivel dege, duke përfshirë përfaqësues të kandidatëve për kryetarë.
4-Të hartohet një agjendë e takimeve të përbashkëta të kandidatëve me anëtarësinë, për të shpalosur platformat politike dhe zhvillimin e debatit.
5-Zyra e organizimit dhe kryesitë e degëve, të vënë në funskion të kandidatëve infrastrukturën dhe burimet administrative për zhvillimin e takimeve të përbashkëta të sipërcituara.
6-Kryetari në detyrë i PD-së duhet të deklarojë burimet financiare dhe logjistike të fushatës së tij, siç duhet të bëjnë të gjithë kandidatët në garë.