A duhet të vaksinohen fëmijët kundër COVID-19?
Vaksina Pfizer po u jepet fëmijëve amerikanë nga mosha 12- vjeçare pas miratimit të saj nga Administrata amerikane e Barnave dhe Ushqimit, por shkencëtarët janë të ndarë nëse kjo është mënyra më e mirë për të ndalur pandeminë. Kjo sepse shumë njerëz në vende të varfëra ende po presin të marrin dozën e parë të vaksinës.
Rregullatori amerikan zgjeroi përdorimin e vaksinës Pfizer tek femijët e moshës 12- vjeçare, në një garë për t’i imunizuar ata para rikthimit në shkollë pas pushimeve verore.
Vendimi u prit me padurim nga prindërit, drejtues shkollash e zyrtarë të shëndetit publik.
Kompania farmaceutike thotë se, vaksina u ofron fëmijëve mbrojtje kundër virusit dhe i ka kërkuar Agjencisë evropiane të Barnave, që ta miratojë përdorimin e saj edhe tek adoleshentët.
Universiteti “Stanford” njoftoi fillimin e fazave testuese 2 dhe 3 për të rinj tashmë të regjistruar, për të përcaktuar nëse, vaksina krijon imunitet dhe parandalon COVID-19 te fëmijët mes moshës 5 dhe 11- vjeçare.
“Kjo është e rëndësishme për disa arsye, sepse fëmijët infektohen, sëmuren dhe mund të vdesin. Kemi parë mbi 3.5 milionë fëmijë amerikanë, që janë infektuar me COVID-19, mijëra prej të cilëve janë shtrirë në spital dhe rreth 600 kanë vdekur. Aktualisht COVID-19 është shkaktari kryesor i vdekjes së fëmijëve, që nga fillimi i pandemisë. Edhe pse numrat tingëllojnë si të vegjël, prapë ka numër të lartë vdekjesh, në përgjithësi të fëmijëve nën 18 vjeç”,- tha Yvonne Maldonado, profesore në Universitetin “Stanford”.
Ajo shton se, fëmijët nën moshën 18- vjeçare përbëjnë 25 përqind të popullsisë amerikane ose 85 milionë banorë, prandaj thotë se është e rëndësishme, që ata të përfshihen në luftimin e virusit vdekjeprurës.
Në Britani, vaksina Pfizer është përdorur për të imunizuar të moshuarit, por shumica e popullsisë është vaksinuar me AstraZeneca.
Ndonëse kompania ka njoftuar plane për të testuar dozat tek adoleshentët, qeveria thotë se nuk ka plane për vaksinimin e fëmijëve.
Edhe profesori Adam Finn, thotë se provat nuk nënkuptojnë përfshirjen e të rinjve në listat e tyre të shpërndarjes së vaksinës.
Ai shton se, përparësi në shpërdarje duhet të kenë komunitetet me rrezikshmëri të lartë në të gjithë botën, para grupmoshave të reja në vendet e pasura, që kanë qasje më të madhe ndaj vaksinave.
“Kjo nuk është e njëjta gjë sikur të thuash se, ne duhet të imunizojmë miliona fëmijë në Shtetet e Bashkuara, pothuajse asnjëri prej të cilëve nuk do të sëmuret edhe nëse është ekspozuar ndaj COVID dhe në të vërtetë pothuajse asnjë prej tyre nuk do të ekspozohet ndaj COVID nëse, popullsia e rritur imunizohet në mënyrën e duhur”, -tha profesori Finn.
Faza e tretë e testimit në Universitetin “Stanford” përfshin 344 fëmijë amerikanë të cilëve po u injektohet vaksina Pfizer.
Profesori britanik Jonathan Ball thotë se, vaksinimi i fëmijëve në shkolla është diçka e pashmangshme për mbarë botën.
“Në fund të fundit, kur të kemi rezultatet e provave të sigurisë dhe efektshmërisë së vaksinave te fëmijët, ne do të fillojmë të shohim përdorimin e tyre në shkolla, sepse ne e dimë se në veçanti te shkollat e mesme, shohim shpërthime, që ushqejnë përhapjen e koronavirusit në komunitete”,- thotë zoti Ball.
Të dhënat e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojnë se, ritmi i infeksioneve në grupmoshat 14-17 vjeç është më i lartë krahasuar me pjesën tjetër të amerikanëve, ndërsa grupmosha 6-13 vjeç po i afrohet mesatares kombëtare.
Vaksinimi i fëmijëve shihet nga institucionet arsimore në ShBA si diçka e domosdoshme për kthimin në normalitet.
VOA