Lulzim Basha në Lezhë, “déjà vu” e fushatës elektorale

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theu heshtjen sot nga Lezha, nga ku dha disa mesazhe për kundërshtarin e tij politik, kryeministrin Edi Rama. Edhe pse fushata elektorale dhe zgjedhjet parlamentare kanë mbaruar, Basha vazhdoi foli për ndryshim të Shqipërisë, shpresën e valës së ndryshimit që do të çojë në fitore të demokratëve. Fjalimi inspirues i Bashës në Lezhë ngjan me fjalimet e tij të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, por me ndryshimin se sot për vjedhjen e votave u fol për diçka që ka ndodhur dhe për autorët e vjedhjes, dhe jo si diçka që mund të ndodhë. Duke marrë parasysh se zgjedhjet kanë përfunduar dhe fituesi është shpallur, del se fjalimi i kreut të Partisë Demokratike është ose “déjà vu” e fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit, ose nisja e fushatës së re elektorale, me shumë mundësi, asaj për zgjedhjet lokale të vitit 2023.

“Është dyfish detyrimi ynë që valën e shpresës dhe të besimit për ndryshim që bashkë e ngritëm ta vazhdojmë, ta bëjmë më të fortë, më të vendosur. Shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, lagje më lagje, qytet më qytet, nga jugu në veri asnjë minutë paqe për regjimin Rama-Doshi dhe racën e tyre bastarde të kriminelëve”, tha Basha që shtoi se “nuk mund t’i lëmë një grusht kriminelësh të na e ndalin rrugën që e kemi nisur bashkë”.

Pa përcaktuar se cila do të jetë kjo rrugë për t’i ndalur ata që i quajti “familje kriminale”, Basha tha se “do t’i kenë ditët e numëruara”.

“Më 25 prill nuk ka mbaruar ndeshja. Shqiptarët po e ngrenë dhe do i ngrenë kartonët e kuq. Detyra jonë nuk ka mbaruar. Vala e shpresës për ndryshim nuk mund dhe nuk do të bjerë. As Edi Rama, as Tom Doshi, as Aqif Rakipi dhe as bandat e Durrësit, të Shijakut e të Krujës, të Fushë-Krujës, të Kurbinit e të Lezhës, të Shkodrës, askush tjetër nuk mund ta marrë peng këtë vend”, u shpreh Basha.

“Le të vazhdojmë bashkë me bashkëluftëtarët tanë, me një ekip të jashtëzakonshëm njerëzish, të bëhemi gati që njeriut që ndërtoi skemën kriminale dhe orkestroi masakrën elektorale të 25 prillit dhe aleatëve të tij kriminelë, t’i tregojmë vendin një orë e më parë”, tha Basha duke mbyllur fjalimin, por pa përcaktuar se si mund “të tregohet vendi”, ose “si do të ngrihet kartoni i kuq”, përveçse në zgjedhjet e ardhshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *