Kate Middleton, tanimë dhe një autore best-seller
Libri i Kate Middleton, “Hold Still”, me 100 fotografi, të cilat përshkruajnë Britaninë e Madhe gjatë pandemisë, kapërceu shitjet, që në ditën e parë kur u reklamua në Amazon.
Dukesha e Kembrixh e botoi librin, një vit pasi ajo njoftoi nisjen e projektit për koleksionin e fotografive në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Portreteve (Londër), si një thirrje inkurajuese për të kapërcyer të gjithë bashkë pasojat e Covid- 19.
Imazhet e infermierëve që flenë, të moshuarit e izoluar nga familja dhe zyra e transferuar në shtëpi, ishin disa nga fotot e publikuara nga albumi me 100 fotografi.
Duke përshkruar fuqinë emocionale të imazheve, Kate tha se ato tregonin pak a shumë atë çfarë gjithsecili prej nesh përjetoi gjatë izolimit.
Kate gjithashtu udhëhoqi një iniciativë për të lënë 150 kopje falas të librit “Hold Still” në vende te ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar .
Veshur me një pallto të markës “Eponine”, Dukesha, 39- vjeçare, vendosi kopjen e parë pranë statujës së Mbretëreshës Viktoria, që ndodhet jashtë kopshtit të Pallatit “Kensington”.
Dukesha udhëhoqi edhe fushatën e organizatës “Book Fairies” për shpërndarjen e dhjetra kopjeve, të mbështjella nga një fjongo me ngjyrë prej ari dhe me një letër të shkruar nga vetë ajo.
Galeria Kombëtare e Portreteve i ka konfirmuar Dukeshës Kate se, do t’a bëjë librin e saj, pjesë të muzeumit.
Të ardhurat nga shitja e “Hold Still: “Një Portret i Kombit tonë në vitin 2020”, me bashkëautor shkrimtarin dhe moderatorin televiziv, Lemn Sissay, do të ndahen midis një organizate bamirësie për shëndetin mendor dhe Galerisë Kombëtare të Portreteve.
Përgatiti: Oriada Shehu