Për fat, do të kemi një Parlament të ri!
Seanca e sotme parlamentare, cështjet kryesore të së cilës ishin prezantimi i nismës për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta dhe mosdekretimi nga Presidenti i ndryshimeve të ligjeve të paketës së reformës në drejtësi, përforcon opinionin e deritanishëm mbi degradimin e nivelit të përfaqësimit në Kuvend.
Pasi kryesuesja e seancës, Vasilika Hysi, lexoi me radhë një sërë emrash – mes të cilëve edhe deputeti i opozitës Ralf Gjoni – që kishin depozituar kërkesën për të folur në seancë dhe konfirmoi mosprezencën e tyre, Gjoni, i saporikthyer, shkaktoi tensione në sallë dhe kritikoi rregulloren e Kuvendit dhe zonjën Hysi që nuk po e lejonte të fliste.
Pjesë nga debati:
Vasilika Hysi: S’kam ndërmend të të mësoj ty rregulloren. Zoti Gjoni, ju jap vërejtje. Mos dëgjoni. I kam lexuar emrat që në fillim. Ndaj të nderuar kolegë, s’keni pse rrini në kafe për një çështje të rëndësishme, por respektoni shqiptarët, pasi paguheni me taksat e shqiptarëve.
Ralf Gjoni: Nuk ishte emri i im aty. Ishte i katërti
Vasilika Hysi: Emri juaj është i pari dhe i vetmi tek lista e të pavarurve
Ralf Gjoni: Mua më takon.
Vasilika Hysi: Mos rrije në kafe, por rrije këtu.
Ralf Gjoni: Isha në banjo, urgjencë!
Vasilika Hysi: Unë e di që ka vetëm Covid, s’ka pandemi të tjera.
Pa u marrë me përmbajtjen e fjalimeve që edhe lexohen keq nga e ashtuquajtura opozitë e re, seanca e sotme, të bën ta konsiderosh veten me fat, që përpos përplasjeve dhe cështjeve të pazgjidhura pas zgjedhjeve të 25 prillit, të paktën, do të jemi të përfaqësuar në Parlament nga deputetë më dinjitozë.