Evolucioni, nga mbushja e kutive, tek thyerja e herësit

Ndërkohë që raportet vëzhguese për zgjedhjet e misionit të OSBE – ODHIR-it dhe ato vlerësuese të Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërine ia lënë vendin njëri – tjetrit, me një përmbajtje që ka vetëm pak ndryshime nga një 4-vjecar në tjetrin, duket se procesi i tjetërsimit të votës kalon nga etapa në etapë, duke evoluuar sa i përket formës.

Nëse përpiqesh të kuptosh se cfarë ka ndodhur me zgjedhjet këtë herë, nuk ka sesi të mos të vijnë nëpër mend zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, të 26 majit të famshëm, kur Partia Demokratike në pushtet fitoi 122 nga 140 vendet në parlament, me një pjesëmarrje prej 89.1%.

Në këto zgjedhje, kutitë u mbushën pa kriter dhe pa llogaritur, aq sa në një pjesë të konsiderueshme të zonave përqindja tejkalonte 100-en, sepse numri i votave në kuti ishte më i madh se ai i zgjedhësve. Atëherë, “tërmeti i fitores” ishte kaq i fortë, sa arrinte në 120 – 130 përqind dhe ndëkombëtarët nuk i certifikuan si zgjedhje brenda standardeve.

Sot, në vitin 2021, ka ndryshuar forma e tjetërsimit të votës – për të mos thënë vjedhjes -, termat dhe mënyrat, llogaritë bëhen më me precision, jo në cdo zonë, vetëm aty ku duhet, por thelbi është i njëjtë.

Ndërsa në 1996-ën, fenomeni ishte mbushja e kutive nga komisionerë në delir, sot, në 2021 fenomeni është thyerja e herësit, ose hyrja në parlament e “pasardhësve” që kanë tejkaluar listat me mijëra vota, pa konkurruar me program, vizion, aq më pak kontribut në politikë.

Të lind pyetja: me cfarë oferte apo program politik eshte paraqitur tek zgjedhësi dhe i ka bindur ata ta votojnë: Rrahman Raja apo Tom Doshi? Me cfarë fuqie të forcës së fjalës apo karizmës u kanë fituar ata besimin zgjedhësve të tyre? E vetmja përgjigje që dëgjon, është: “Kanë punuar fort”.

Pa tentuar të kuptosh apo shpjegosh ku konsiston kjo punë e tyre, lexon vlerësimin standard të DASH-it, sipas të cilit, partitë duhet të njohin vendimin e zgjedhësve dhe nga ana tjetër, deklaratat kontradiktore të ambasadorëve që bëjnë thirrje të hetohen krimet zgjedhore. Edhe kryeprokurori ka deklaruar sot se do të hetohen krimet zgjedhore. Po nëse ka pasur krime zgjedhore, a duhet njohur verdikti i zgjedhësve?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *