Eksperimenti në shpellë, 40 ditë pa telefon dhe lajme
Përshtati në shqip: Oriada Shehu
Pesëmbëdhjetë persona dolën nga një shpellë në Francë pas gjashtë javësh në izolim për një eksperiment dhe shumica e tyre dëshironin të ktheheshin përsëri.
Grupi hyri në shpellën Lombrives që ndodhet në malet Pyrenees në jug të Toulouse në Francë, për një eksperiment të quajtur “Deep Time”, gjatë të cilit ata nuk kishin asnjë telefon, orë ose dritë natyrore.

8 burra dhe shtatë gra, nga mosha 27 deri 50 vjeç, u bënë pjesë e një eksperimenti, që do të studiojë efektet e izolimit ekstrem .
Atyre u duhej të ambientoheshin me një temperaturë konstante prej 12 gradë celsius dhe 95% lagështirë.
Pa ndihmën e orës, pjesëmarrësit numëruan ditët e tyre sipas cikleve të gjumit dhe shumë prej tyre llogaritën gabimisht sa kohë kishin qendruar atje dhe menduan se duhet të qëndronin edhe një javë tjetër në shpellë.
Shkencëtarët që po i vëzhgonin u detyruan të hynin në shpellë për t’ju thënë se ata duhet të dilnin, pasi kishin plotësuar 6 javët e përcaktuara në eksperiment.
Me buzëqeshje në fytyrat e tyre të zbehta, dhe me syze speciale për të mbrojtur sytë, ata u pritën me shumë duartrokitje në dalje të shpellës.”Eshte vërtet ngrohtë!“,-tha njëri prej tyre.
Por, megjithëse pjesëmarrësit dukeshin të lodhur, dy të tretat e tyre shprehën dëshirën të qëndronin nëntokë pak më gjatë në mënyrë që të mund të përfundonin projektet në grup, që ata kishin filluar gjatë kësaj ekspedite.
Banorët e shpellës nuk kishin asnjë kontakt me botën e jashtme, nuk merrnin lajme mbi pandeminë dhe nuk kishin asnjë komunikim me miqtë dhe familjen mbi tokë.
Shkencëtarët nga “Human Adaptation Institute”, që drejtuan projektin 1.2 milion euro , thonë se ky eksperiment do t’i ndihmojë ata të kuptojnë më mirë sesi njerëzit përshtaten me ndryshimet drastike në kushtet e jetesës dhe mjedisit, diçka qe shumica e botës mund të lidh me jetesën për shkak të COVID-it.
Studiuesit monitoruan modelet e gjumit të grupit, ndërveprimet shoqërore dhe reagimet e sjelljes përmes disa sensorëve.
Sensorët përfshinin një termometër të vogël brenda një kapsule, që pjesëmarrësit e gëlltisnin si një pilulë, që shpërbëhej më pas në mënyrë natyrale.
Përmes saj, shkencëtarët bënin matjen e temperaturës së trupit dhe këto të dhëna transmetoheshin në një kompjuter portativ.
Drejtori i projektit Christian Clot tha: “Është me të vërtetë interesante të vëzhgosh se si ndërveproi ky grup.”
Ai shtoi se bashkëpunimi në projekte dhe organizimi i detyrave pa qenë në gjendje të caktosh një kohë për t’i plotësuar këto objektiva ishte veçanërisht sfidues.
Linku i artikullit: https://news.sky.com/story/fifteen-people-leave-cave-after-40-days-with-no-phones-or-contact-with-friends-and-family-and-most-want-to-go-back-12285566