Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendos precedent për vaksinimin e detyrueshëm të popullsisë
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në çështjen Vavřička dhe të tjerë kundër Republikës Çeke ka vendosur sot me shumicë votash, 6 me 1, pro vendimit që vaksinimet e detyrueshme të konsiderohen të ligjshme, sa kohë që një vendim i tillë i shërben shoqërisë si një e tërë.
Në Republikën Çeke është detyrim i ligjshëm që fëmijët të vaksinohen kundër 9 sëmundjeve të përcaktuara nga shkenca, mes të cilave difteria, kolla e mirë, hepatiti B dhe fruthi. Prindërit e fëmijëve të pavaksinuar gjobiten, ndërsa fëmijët nuk lejohet të pranohen në çerdhe e kopshte.
Në rastin e kësaj padie, njëri nga prindërit ishte gjobitur, ndërsa të tjerët nuk ishin lejuar të regjistronin fëmijët në çerdhe dhe për këtë arsye, kanë dërguar çështjen për shqyrtim pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Gjykatësit në shumicë kanë vlerësuar se në të gjitha çështjet që kanë në themel të tyre fëmijët, prevalon interesi i këtyre të fundit. Me pikësynim imunizimin, sipas GjEDNj-së, objektivi madhor është që çdo fëmijë të jetë i mbrojtur nga sëmundjet e konsideruara të rrezikshme dhe vaksinimi është mjeti i duhur.
Edhe pse vendimi nuk është marrë specifikisht për vaksinat kundër COVID, specialistët e fushës vlerësojnë se mund të jetë një referencë për ata që kanë refuzuar vaksinimin kundër COVID – 19 dhe të krijojë një precedent në luftën kundër pandemisë.