Vjosa Osmani zgjidhet Presidente me 71 vota
Vjosa Osmani që njihet për qëndrime të prera dhe të drejtpërdrejta ka arritur të zgjidhet presidente e Kosovës, duke zgjidhur ngërçin institucional në Prishtinë.
Osmani që pritet të ketë rol unifikues në mesin e skenës së përçarë politike, u zgjodh me 71 vota në raundin e tretë, pasi nuk arriti t’i sigurojë votat në dy raundet e para. Në votim morën pjesë edhe shumica e deputetëve të ish-partisë së saj, LDK-së.
Ajo mbajti dhe fjalimin e parë si Presidente, duke bërë thirrje për bashkëpunim dhe tolerancë:
“I nderuar kryetar i Kuvendit, zoti Kryeministër Kurti, deputetë të legjislaturës së 8-ë. Përfaqësues të vendeve mike, miq që nuk na u ndatë. Faleminderit për durimin dhe pjesëmarrjen. Është nder i madh për mua që me bekimin tuaj dhe vullnetin e qytetarëve t’iu drejtohem nga foltorja e këtij Kuvendi në cilësinë e Presidentes më të re të vendit tonë. Vullneti juaj i shprehur me 14 shkurt, më veshi njëkohësisht me përgjegjësi. Dashuria për Kosovën, ka qenë motivimi më i madh për jetën politike. Sot është dita e Kosovës, është dita juaj, është ditë në të cilën vullneti juaj i shprehur me 14 shkurt po plotësohet dhe institucionet po konstituohet. Është dita e Kosovës, sepse të gjithë personazhet që ju zgjodhët, po demonstrojnë një nivel të lartë demokracie. Dëshmojmë edhe njëherë, që me urtësi dhe vendosmëri dimë t’i përballojmë sfidat dhe t’u japim kuptim. Vendosmëria për të arritur ëndrrat po jetësohet. Sot Kosova zgjodhi edhe njëherë një Presidente grua. Shpresoj ta mbani ndërmend këtë që po ndodh tani. Vajzat e kanë vendin aty ku ëndërrojnë, e aty ku punojnë me zell. Përfaqësimi i qeverisë tonë nga gra, është shembull që duhet ndjekur edhe nga vende më të zhvilluara. Nuk kemi nevojë të shohim përtej kësaj salle, për të kujtuar vuajtjet e tmerrshme të vendit tonë dhe sakrificat e shumta që kaluam. Historia jonë është dhe historia e njerëzve përfaqësues në këtë sallë. Në Qeveri sot kemi ministra që kanë mbijetuar masakrën e Dubravës e na tregojnë që i bëjmë ballë çdo sfide. Në krye të Qeverisë është kryeministri ynë, një ish-i burgosur politik. Secili nga ta e shumë të tjerë në këtë sallë që dhanë më të shtrenjtit e tyre, sot shpërfaqin një faqe të re të historisë së Kosovës. Bashkë të gjithë ne e kemi kthyer dhimbjen në fuqi për bashkëveprim të qytetarëve tanë. Ne jemi fëmijët e prindërve që çdo ditë u zgjuan e ranë në gjumë me brengen se si do t’i rrisnin fëmijët e si do t’i ushqenin familjet. Prandaj sot të gjithë shprehim mirënjohjen e thellë ndaj gjeneratës tonë. Sot Kosova rishtas po e jep shembullin e demokracisë.“Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë është ushtria me besimin më të madh qytetar. Historia jonë krahas dhimbjes është histori i ngadhënjimit mbi të keqen, ne do t’u jemi mirënjohës atyre që u rreshtuan krah Kosovës. Ata duhet të qëndrojnë pranë nesh në mbrojtjen e vlerave të demokracisë. Në mesin e aleatëve të shumtë janë tri shtylla, SHBA, BE-ja dhe Republika e Shqipërisë. Si presidente e Kosovës, shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë politikanët të ndërtojmë frymën e bashkëpunimit e tolerancës.“
Presidentja e sapozgjedhur dha një mesazh inkurajues edhe për vajzat dhe gratë, duke ju kujtuar se Kosova ka arritur të zgjedhë për herë të dytë, në krye të shtetit, njërën prej tyre dhe se ajo do të mbështesë që çdo vajzë dhe grua në Kosovë të realizojë ëndrrat.
Ambasadorët në Kosovë përshëndetën zgjedhjen e Vjosa Osmanit në krye të presidencës kosovare. Edhe nga Tirana, Vjosa Osmani mori përgëzimet e para nga Presidenti, Ilir Meta, kryetari i opozitës, Lulzim Basha.
Vjosa Osmani është lindur në Mitrovicë. Studimet e larta dhe ato pasuniversitare i ka kryer në degën e jurisprudencës. Krahas jetës akademike, Vjosa Osmani është angazhuar edhe në politikë, me Lidhjen Demokratike të Kosovës, prej së cilës u largua zyrtarisht para zgjedhjeve të shkurtit 2021, ku iu bashkua Lëvizjës Vetëvendosje. Në këto zgjedhje Vjosa Osmani mori mbi 300 mijë vota elektorale.