KPK “rrëzohet” në KPA, vendimi për inspektorin, i gabuar!
KPK “rrëzohet” në KPA, vendimi për inspektorin, i gabuar!

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, me kërkesë të Komisionerit Publik, vendosi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Inspektorin e ish Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Piro Samara, duke e perjashtuar atë 15 vite nga sistemi i drejtësisë.
Në vendimin përfundimtar, trupi gjykues, u dakordësua me gjetjet në ankimin e Komisionerit Publik, sipas të cilave vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte marrë në zbatim të gabuar të nenit G, të aneksit të Kushtetutës dhe të orientimeve të dhëna në disa vendime të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Seanca gjyqësore për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr.249/2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, u zhvillua në mungesë të subjektit të rivlerësimit. Kryesuesja e trupit gjykues informoi se ai edhe pse ishte njoftuar për zhvillimin e seancës, nuk kishte konfirmuar pjesëmarrjen.
Në vendimin e rrëzuar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ish inspektori Piro Samara kishte fituar jo vetëm të drejtën për të mos iu nënshtruar procesit të rivlerësimit, për shkak të dorëheqjes nga detyra, por edhe të drejtën për t’u emëruar në organet e reja të drejtësisë, në kundërshtim me sanksionet e parashikuara në nenin G, të aneksit të Kushtetutës.