“Shqipëria buzëqesh”, Rama siguron vaksinën për “vete” dhe mjekët në Tiranë e Prishtinë
“Shqipëria buzëqesh”, Rama siguron vaksinën për “vete” dhe mjekët në Tiranë e Prishtinë
Shqipëria nisi zyrtarisht të hënën vaksinimin e stafeve mjekësore të spitaleve COVID-19. Vaksinat e prodhura nga kompania “Pfizer” u siguruan nga një vend i Bashkimit Europian, i cili sipas Kryeministrit të Shqipërisë, ka kërkuar të mos i publikohet emri. Kryeministri u vaksinua live, i dyti pas shefes së Spitalit Infektiv në Tiranë, për të treguar se vaksina e dhuruar nga vendi sekret, është e sigurt.
Në këtë fazë, Shqipëria parashikon të vaksinojë personelin mjekësor të 4 spitaleve COVID dhe atë të Urgjencës Mjekësore. Një pjesë e vaksinave të siguruara nga Shqipëria do të dhurohen për Spitalin Infektiv të Prishtinës. Në fazën e dytë parashikohet vaksinimi i stafeve pedagogjike, forcave policore dhe grupmoshave mbi 70 vjeç.
Në Tiranë postet e vaksinimit janë ngritur në stadiumin “Air Albania”.
Shqipëria, vend kandidat i Bashkimit Europian bashkë me Maqedoninë nuk u përfshinë në paketën e vaksinimit të Unionit, një veprim që shkaktoi reagime kritike në Tiranë, fillimisht nga zëdhënësit e Kryeministrit dhe më pas nga vetë ky i fundit, përmes mesazheve të nënkuptuara për Brukselin në krah të Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i kritikuar për burgosjen politike të gazetarëve dhe të kundërshtarëve të tij.