Lu për drejtësinë: Gazetarët të vijojnë me ‘asgjësimin’ e politikanëve të korruptuar

Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, u shpreh me një sërë vlerësimesh pozitive për gazetarët shqiptarë, si dhe shoqërinë civile, njëkohësisht me këshillat për të mos i përtuar punës së tyre të rëndësishme.

Sipas tij, falë disa gazetarëve të guximshëm me denoncimet e tyre, shumë politikanë u larguan nga skena politike. Lu, foli gjithashtu dhe për “peshqit e mëdhenj”, si dhe faktin se hetimet po vijojnë ende për Saimir Tahirin dhe ish-kryeprokurorin, Adriatik Llalla.

“Kur thashë këtë, e dija se kishte shumë skeptikë, të cilët pretendonin se shoqëria civile është e vakët dhe punon vetëm për interest e veta. Apo kishin pretendimin, se shoqëria civile është blerë nga socialistët, demokratët, apo LSI. Unë mendoj ndryshe. Për mua, shoqëria civile ka shënuar fitore të jashtëzakonshme në 3 vitet e fundit.

Gazetarë të guximshëm, ishin të gatshëm të shkruanin për Arben Ndokën, Roshin, Aqif Rakipin, Shukri Xhelilin; falë tyre, këta politikanë nuk janë më në Kuvend as bashki.

Por, nuk duhet të jeni dembelë, ka ende shumë për t’u bërë. Prandaj, jemi përpjekur për t’i ndihmuar organizatat vendase, që të bëhen më të pavarura financiarisht dhe më të sukseshme.

Sfida kryesore sot: do të isha i lumtur nëse shoqëria civile na bashkohet në thirrjet për arrestimin e peshqve të mëdhenj të krimit. Shqipëria ka mbështetur kapjen e një peshku të madh, Met Kanani, i cili u kap në Turqi. Dy urdhër-arreste janë lëshuar edhe për dy të tjerë. Klement Balili dhe Arbër Cekaj. Ata duhet të kapen.

Fran Frrokaj dhe Roshi, po ndiqen penalisht. Hetimet po vazhdojnë ndaj Tahirit dhe Llallës, askush nuk është mbi ligjin. Mirëpresim faktin që zoti Tahiri do përballet me drejtësinë, si qytetar i zakonshëm, pa imunitet. Duhet ta ndihmoni popullin për ta kuptuar, pse këta persona janë kaq të rrezikshëm”- ka thënë ambasadori Lu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *