Presidenti Abbas: Hebrenjtë mashtrues shkaku i holokaustit
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, u vu në qendër të vëmendjes me deklaratën e bërë së fundmi, nga Bregu Perëndimor.
Gjatë takimit me palestinezët e kësaj zone, ai tha se vrasja masive e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga nazistët, nuk ishte urrejtje racore. Shkak ishin aktivitetet e tyre financiare, duke i përshkruar hebrenjtë si njerëz me aktivitet në banka, fajde dhe mashtrime financiare.
Reagimet e para, nuk vonuan nga Izraeli. Zëdhënësi i Kryeministrit Benjamin Netanjahu, i cilësoi deklaratat si antisemite dhe patetike.
“Mahmoud Abbas thotë, se hebrenjtë huadhënës ishin shkaktarët e holokaustit. Tani mund të themi, se kemi një partner paqeje këtu”, – shkruan ai në Twitter.
Deklarata ka provokuar reagime edhe në Shtetet e Bashkuara, nga organizata hebraike.
Të paktën 6 milionë hebrenj u vranë nga nazistët, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shumë të tjerë u larguan fillimisht nga Gjermania dhe më pas, nga e gjithë Europa, për t’i shpëtuar vdekjes.
Të udhëhequr nga nacionalizmi ekstrem, nazistët i konsideronin hebrenjtë si kërcënim për “racën e pastër” gjermane dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ndërtuan kampet e persekutimit për ta, më famëkeqi prej tyre, ai i Aushvicit në Poloni.