Berlin, zhvendosen mijëra banorë prej bombës 500 kg
Në Berlin raportohet për zhvendosjen masive të popullsisë për shkak të çmonitmit të një bombe të Luftës së Dytë Botërore.
Zhvendosja filloi rreth orës 09:00 të mëngjesit, në një rreze prej 800 metrash nga vendi ku u zbulua bomba. Në zonën e rrethuar nga policia gjenden ministri, ambasada, një spital dhe stacioni qendror i hekurudhës.
Mijëra bomba të pashpërthyera nga lufta e viteve 1939-1945, gjenden çdo vit. Sipas polices, bomba britanike 500 kg, që u gjet në Heidestrasse të mërkurën e shkuar, nuk paraqet rrezik akut.
Mbyllja e stacionit qendror të trenave ka bërë që kompania shtetërore “Deutsche Bahn” dhe operatorë të tjerë transporti të paralajmërojnë për probleme të mëdha në qarkullimin e trenave, tramvajëve dhe autobusëve. Ndërsa fluturimet drejt dhe nga aeroporti “Tegel”, rreth 7 kilometra larg, nuk do të preken,edhe pse avionët që do të ulen atje do të duhet të shmangin fluturimin mbi zonë.
Aeroporti “Tegel,” më i frekuentuari në Berlin, u mbyll përkohësisht gushtin e kaluar, pas zbulimit të një bombe ruse të Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa shtatorin e shkuar, pacientët në spitalet e Frankfurtit u zhvendosën për të mundësuar një shpërthim të kontrolluar të një tjetër bombe gjigante të kohës së luftës.