Tahiri shpëton mandatin, por “kapet” nga telefoni i Berishës!
Tahiri shpëton mandatin, por “kapet” nga telefoni i Berishës !
Partia Demokratike braktisi punimet e Kuvendit në shenjë proteste për prezencën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili kthehej në sallën plenare pas 6 muajsh, në “deadline” për të shpëtuar mandatin e deputetit. Ish- Kryeministri, Sali Berisha kërkoi fjalën për procedurë, por siç zakonisht ndodh, ai “censurohet” nga Kryetari i Kuvendit. Në këto kushte, Berisha përdor aplikacionin live në llogarinë e tij në Facebook dhe kërkon largimin nga salla të ish-ministrit Tahiri.
Pjesë nga fjala e z. Berisha : Të nxirret jashtë Saimir Tahiri, se po kremtoni raportin e BE-së me njeriun më kryesor të drogës në Ballkan, bashkë me Edi Ramën. Nxirreni jashtë, mos festoni me të! Atëherë pse nuk ftoni edhe Habilajt dhe Klement Balilin të vijnë këtu?”- iu drejtua ish Kryeministri Berisha, Kryetarit të Parlamentit Gramoz Ruçit, ndërsa thirri deputetët e PD-së të largohen nga salla. Në dalje, Berisha filmoi ish-ministrin Tahiri. I vënë në shënjestër të kamerave profesionale në oborrin e parlamentit, Saimir Tahiri nuk e kishte menduar se do të ndiqej “këmba-këmbës”edhe nga objektivët e telefonëve të zgjuar të deputetëve në sallë.

Ai vendos më në fund të flasë për reporterët e atashuar në Parlament, por me gjuhën e “të fortëve.”
Saimir Tahiri: “Kam motiv të mirëkuptoj njeriun që fshehu filmimet e 21 janarit në kryeministri dhe më filmoi mua. Është fat i madh!”
Pyetje: Pse nuk folët të na jepnit dhe ne kënaqësi?
Saimir Tahiri: Se nuk ishte opozita, nuk ka sens.
Pyetje: Opozita thotë se Rama ju mbron juve?
Saimir Tahiri: As më mbron njeri dhe as nuk dua të më mbrojë. Për mua ka vlerë e vërteta dhe nuk ka vlerë kush mund të më pengojë në rrugën time për të bërë drejtësi. Nuk e besoj që ka “bir nëne e kurve” të më pengojë.
Ndërkohë edhe Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Parlament përdori mesazhe kodike për kundërshtarët politikë.
Kryeministri : Nuk do të mjaftojë që gjykatësit e prokurorët të largohen, por të përgjigjen. Ashtu siç duhet të përgjigjen politikanët dhe zyrtarët e lartë përballë një drejtësie nga gjykatësit e çliruar nga korrupsioni.Është një fazë e re e vështirë që do të kërkojë zbatimin në realitet të forcës së sistemit të drejtësisë në raport me shkelësit e ligjit.”- ndërsa theksoi se rekomandimi i KE-së për hapjen e negociatave ishte i merituar!