Këshilla sportive e Mogherinit: Negociatat si “Formula Uno”, Rama: Kam benzin e Merkel…!
Këshilla sportive e Mogherinit: Negociatat si Formula Uno…! Rama: Kam benzin e Merkel…
Brukseli duket se e ka marrë me sportivitet rekomandimin për hapjen e negociatave të antarësimit me Shqipërinë. Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE, Federica Mogherini e krahasoi procesin e bisedimeve, si garën e njohur të makinave të shpejtësisë “Formula Uno.”
Në Tiranë, në konferencën e saj për shtyp përkrah Kryeministrit Edi Rama, zyrtarja e Brukselit u kujdes të anashkalojë përgjigjet direkte për lëvizjet politike dhe civile në Shqipëri, pasojë e rritjes së taksave dhe thellimit të varfërisë.
Mogherini: Mesazhi im për opozitën do të jetë ai dhe për kryeministrin. Ky nuk është rezultat i njërës parti apo tjetrin. Është një rezultat i të gjithëve atyre që kanë punuar gjatë dekadës së fundit për të transformuar Shqipërinë. Jo vetëm të marrin meritë, por edhe përgjegjësinë. Nuk ndodh në historinë e BE-së që rrugëtimi i BE-së të jetë përdorur vetëm nga një partin. Kjo është një përpjekje kombëtare. Dhe shoh mjaft unitet, kur bëhet fjalë për aspirata. Besoj se është në interes të qeverisë e opozitës për të bashkur forcat dhe hedhur hapat për reformat që janë kyçe për procesin në vijim. Nëse Shqipëria dha rezultate në reformën e Drejtësisë, në procesin e Vetting-ut, ndodhi sepse politika u bë bashkë. Ju të gjithë i realizuat ! Aspirata e qytetarëve tuaj vijnë të parat. Kjo është përpjekje kombëtare. Po marr shembull Formula Uno: sot, semafori është në dritën e gjelbër dhe këtu fillon gara !
Kryeministri iu përgjigj edhe kritikave për bllokimin e arrestimit të ish ministrit Saimir Tahiri, për lidhjet e dyshuara me trafikantët e drogës.
Rama: Është e rëndësishme që të arrijmë të shpjegojmë që në procesin e Saimir Tahirit, Kuvendi dhe shumica e qeverisë zbatoi në frymë dhe në gërmë gjithçka që Komisioni i Venecias nënvizoi lidhur me rastet, kur një komision i posaçëm në parlament thirret në detyrë për të trajtuar çështjen e arrestit, apo masave të parashikuara për një deputet. Mirëpresim që Prokuroria të rikthehet me të paktën një provë të vetme dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda është larg shumë larg së qeni një trup që mund të konsiderohet e influencueshme nga çdo kush qoftë. Së treti e thashë dhe e përsëris është gjëja më e lehtë që të nxirren bishta dhe të nxirren alibira e të krijohen pseudo-argumente përballë faktit, se Shqipëria i ka bërë “një për një” detyrat dhe ka marrë dëftesën nga Komisioni më i pamëshirshëm në Evropë, që është KE. Ai shikon “një për një” zbatimin e detyrave. Në këtë aspekt kemi bërë detyran tonë.
Kryeministri komentoi edhe deklaratën e rivalit të tij politik Lulzim Basha, se Gjermania është mosbesuese për hapjen e negociatave. Rama tha se Merkel është në krye të projektit për integrimin e Ballkanit Përëndimor dhe se në Berlin ka vetëm individë skeptikë, që sipas tij janë të lidhur me Partinë Demokratike në Tiranë.
Komisioni Europian rekomandoi të martën hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Vendimi pritet të diskutohet në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së, planifikuar të mbahet në datat 28-29 qershor.