Flokë të çelura si pranvera, por jo më dekolorim
Pranvera çel jo vetëm ngjyrat e veshjes, por edhe të flokëve. Shumica prej nesh e dinë mirë, se sa kohë na duhet ta kalojmë në parukeri, për të ndërruar apo hapur disa tone nuancën e flokëve. Shpesh, dekolorimi mund të ketë rezultuar i dëmshëm për shëndetin e tyre, ndaj na është dashur të mendojmë edhe për mënyra të tjera më praktike.
Praktikisht, çngjyrosja e flokëve me dekolorim nuk është aspak e shëndetshme, si shkak i përmbajtjes së agjentëve kimikë. Por, ngjyrën e flokëve mund ta çelni edhe në kushtet e shtëpisë, me këto dy përbërës natyralë.
Trajtimi me birrë pa alkool dhe të bardhë veze: Ndonëse mund të jeni dashamirës të birrës së vërtetë, asaj me alkool, për këtë trajtim ju duhet birrë pa përqindje alkooli.
Përveç se një trajtim i shkëlqyer që çel ngjyrën e flokëve deri në 2 tonalitete, gjithashtu është ushqyes për flokët dhe nxit rritjen e tyre, falë përbërësve të tillë si: aminoacidet, proteinat, kalciumi, zinku, potasi, fosfori, vitamina B6, vitamina E etj.
Para së gjithash, duhet të dini që sasia e përbërësve që duhen përdorur për këtë trajtim varion sipas gjatësisë së flokëve. Për flokë me gjatë mesatare këshillohet të përdorni 2 birra 330 ml dhe 4 bardha të veze.
Rrihni fillimisht të bardhat e vezeve derisa të lidhen me njëra-tjetrën. Shtoni gradualisht birrën duke i përzier njëkohësiht me rrahësen e vezëve. Më pas, lagni kokën me ujë të vakët dhe spruconi përzierjen e mësipërme. Masazhojeni me lëvizje rrethore dhe lëreni të veprojë për 3-4 orë. Shpëlani flokët me ujë të ngrohtë, pa përdorur shampoo pas larjes, vetëm balsam. Përdoreni këtë trajtim 2-3 herë në javë dhe do të habiteni me rezultatin.